Jo gjithmonë stilistët e famshëm tregohen të gatshëm për të veshur VIP-at, sado të njohur të mund të jenë ata. Shumë prej stilistëve të markave të luksit kanë “standarde” të ndryshme për personazhet që duan të veshin. Disa VIP-a kanë folur hapur rreth faktit që janë refuzuar të vishen nga këta stilistë. Cilët janë këta të famshëm?
Beyonce
Sot shumë stilistë mund ta kenë ëndërr të veshin Beyonce-n, por dikur nuk ka qenë kështu, këngëtarja ka pranuar se është refuzuar nga stilistët e markave të luksit në fillimet e saj, kur ka qenë pjesë e Destiny’s Child.
“Markat e famshme nuk dëshironin të vishnin 4 vajza të zeza dhe të bëshme. Ndërsa ne nuk mund ta përballonim t’i blinim fustanet e tyre të shtrenjtë”, -ka rrëfyer Beyonce në 2016-ën në CFDA Awards.
Bebe Rexha
Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha ka rrëfyer vitin e kaluar se s’po gjente asnjë veshje për Grammy’s, pasi stilistët e njohur nuk pranonin ta vishnin, sepse iu dukej e shëndoshë.
Khloe Kardashian
Khloe u shpreh për Harper’s Bazaar US se industria e modës dhe njerëzit në përgjithësi e shihnin ndryshe pasi ishte dobësuar. Ajo shtoi se stilistët preferonin të vishnin Kim-in dhe Kourtney-n, dhe jo atë pasi ajo “kishte shumë punë, sepse s’kishin asgjë në masën e saj”. Dhe të mendosh që Khloe ka qenë thjesht e bëshme!
Ashley Graham
Modelja dukej për mrekulli e veshur me një fustan të Bao Tranchi, në natën e ndarjeve të çmimeve Oscar, në vitin 2016. Megjithatë, ajo e pranoi se gjetja e veshjes ishte një sfidë më vete për të, pasi stilistët e kishin të vështirë të gjenin një fustan “në masën e saj”.
Rachel Bloom
Aktorja pranoi se në Emmy 2017 ajo e bleu vetë fustanin e Gucci-t që mbante veshur, sepse stilistët nuk pranojnë ta veshin “pasi nuk është masa 0”. Megjithatë, ajo shtoi se nuk e ka problem, duke qenë se mund ta përballojë t’i blejë vetë veshjet.