Të hënën në ora 12:00 para Ministrisë së Shëndetësisë do të mbahet një protest e organizuar nga disa pronarë të Restauranteve të Kosovës për lejimin e dasmave(ahengjeve familjare). Këngëtari i mirënjohur Afrim Muqiqi e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë organizim. Ai përderisa ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën e së hënës ka deklaruar se do të ishte e pakuptimtë mbajtja e organizimeve me numër të madh në shesh ndërkaq të ndalohen mbajtja e dasmave dhe ahengjeve.
“Unë do ti bashkëngjitëm atij kundërshtimi sepse nuk e dua fjalën protestë, sepse protestë bëjnë vetëm njerëz të politikës, vetëm njerëz të cilët luftojnë për interesa të dikujt tjetër, ndërsa ne luftojmë vetëm për interesat tona. Do ti bashkëngjitëm fuqishëm kundërshtimit sepse nuk ka logjik që në shesh të mblidhen aq shumë njerëz, kurse në anën tjetër të ndalohen personat të cilët janë familje. Kjo e sodit është çmenduri të mblidhen aq shumë persona në shesh e të mos lejohen dasmat, atëherë edhe ne do ti mbajmë dasmat në shesh apo edhe në oborre të shtëpisë” u shpreh Muqiqi për Kosova Post.
Ndër të tjera Muqiqi tha se do të përkrahi fuqishëm estradën dhe gjithë sektorin e gastronomisë të gjithë bujqit e Kosovës dhe 50 përqind e popullatës të cilët do të mbesin pa punë.
“Unë fillimisht do të përkrahi fuqishëm të gjithë estradën, të gjithë sektorin e gastronomisë të gjithë bujqit, artarët, bukëpjekësit, sallonet e ondulimit, pastaj kameramanët, kuzhinierët, sepse kjo masë po e prek popullatën tonë, 50 përqind e tyre që merren me këtë veprimtari unë mendojë që do të jenë do të jenë pa punë. Kur ka mundësi që të zbaviten në sheshet e Prishtinës këta njerëz të panjohur dhe nga vise të ndryshme të Kosovës të mblidhen, atëherë çfarë logjike ka që të mos lejohen dasmat kur një dasmor mund ta di saktësisht se kënd e ka në familje të vet të prekur nga Covid-19 është e pakuptimtë dhe jo e logjikshme. Ne jemi njerëz dhe nuk jemi prej atyre që qofse ka raste pozitive dalim për të dëmtuar të tjerët, mirëpo këta për interesat e veta politike bëjnë mitingje të mëdha nëpër sheshe të Kosovës siç ishte ky i sodit. Unë pyes edhe Ministrinë edhe Qeverinë edhe gjithë politikën a ka logjikë që të mblidhen në shesh 10 mijë ose më shumë persona e mos të lejohet një dasmë me 200 persona të njofshëm të familjes kjo është anomalitet.
Në fund ai theksoi se e mirëpret sa më shpejt vendimin e Qeverisë për lejimin e ahengjeve familjare duke thënë se rreziku nuk ka shancë të jetë me një aheng familjar më i madh se i sodit sepse të gjithë pronaret e restauranteve do të i binden kujdesit për masa të parandalimit siç është ai i distancës së tavolinave mes vete e shumë të tjera.
Kujtojmë se sot Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Armend Zemaj, ka thënë se do të jetë vështirë të shkohet me lirimin e masave për veprimtari të tjera përderisa në veprimtaritë e lejuara përgjatë fazës së dytë dhe të tretë të hapjes graduale nuk respektohen masat e marra nga Qeveria e vendit dhe rekomandimet e IKSHPK-së.
“Disa veprimtari të tjera të parapara për t’u rivlerësuar në fazën e III-të duhet marrë më shumë kujdes, për shkak në njërën anë të presionit të madh që vjen prej tyre për t’u liruar, dhe në anën tjetër rrezikut të përhapjes së virusin, pasi që shumica prej tyre kanë të bëjnë me fluks të madh të qytetarëve që gravitojnë në to apo që janë pjesëmarrës dhe në veprimtaritë e lejuara respektimi i masave nuk po ndodh”, ka thënë Zemaj.