Historia e një dashurie me 24 vite diferencë, të fshehtat e Brigitte dhe Emmanuel Macron

0
Gjigandi

Libri me një fjali

“Ai sa kish mbushur të shtatëmbëdhjetat” është një vëzhgim i hollë dhe intim për të hedhur dritë në një prej historive më të pazakonta të dashurisë, asaj mes Brigitte dhe Emmanuel Macron.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Ajo ishte mësuesja e letërsisë, ai ishte nxënësi i saj. Ajo ka të shoqin, tre fëmijë adoleshentë, një jetë provinciale, në dukje borgjeze. I pëlqejnë shkrimtarët e mëdhenj dhe dëshiron të bëhet shkrimtare. I pëlqejnë minifundet dhe këmbët e saj. Djaloshi i duket i shkëlqyer dhe kërkon të martohet me të. Ajo quhet Brizhitë dhe ai Emanuel.

Brizhitë Tronjo u martua për herë të parë në Tuke. 33 vjet më vonë, për martesën e dytë, ajo ka zgjedhur të njëjtin vend si për të parën, Tukenë. Të njëjtën sallë martesash, në bashkinë që duket si kështjellë mesjetare angleze. Prindërit e Emmanuel Macron-it do t’i kërkojnë të mos takohet më me djalin e tyre. “Ata janë në një moshë me Brigitte-n dhe fakti që ai niset për në Paris, i lehtëson shumë. Për ata, kjo histori i kalon caqet e marrëzisë”,- shkruan autorja.

RonaTyra

“Ai sa kish mbushur të shtatëmbëdhjetat” është një biografi dhe portret intim i Zonjës së Parë franceze Brigitte Macron. Përmes rrëfimeve dhe analizave, autorja kërkon të kuptojë se si, një grua e borgjezisë së vogël të provincës, e rritur me të motrat, pati guximin e madh për t’u përballur me familjen e saj dhe moralin popullor për të jetuar një jetë të dytë me një burrë 24 vjet më të ri sesa ajo. Autorja përpiqet t’u japë përgjigje pyetjeve: Ishte guximi apo pavetëdija që e kishin shtyrë Brizhitën të “shkatërronte vatrën e saj” për t’iu futur një aventure çmendurisht të rrezikshme? Ishte vallë Emanueli ai që kishte bërë hapin e parë? Nëse po, si ia kishte dalë t’i mbushte mendjen? Kur kishte filluar saktësisht lidhja e tyre? Ç’mrekulli kishte ndodhur që fëmijët e Brizhitës e kishin pranuar aq lehtë këtë njerk jo si të tjerët (kështu thotë versioni zyrtar), ndërkohë që as dyzetvjeçarët e afirmuar nuk e pranojnë që nëna e tyre të dashurojë njeri tjetër veç babait? Në korrik 2019, libri u nderua me çmimin “Bernard-Mazières”, i cili jepet për librat me përmbajtje politike.

Kritika

Gazetarja heton, por e lë të lirë edhe fantazinë e saj, duke u nginjur me “heronjtë” e saj, me mjedisin e tyre, hedh hipoteza për zgjedhjet dhe gjendjen e tyre shpirtërore. Gjithsesi, mbetet një libër i lehtë, por me dëshmi të sakta, zbavitës, intim, pa vuajerizëm.

Le Figaro

Një nga historitë më të pabesueshme të dashurisë të epokës sonë, rrëfyer në mënyrë të parezistueshme.

The Sunday Telegraph

Zbulimi më tronditës që bën Sylvie Bommel sigurisht që është besnikëria e Presidentit ndaj gruas së tij. E pazakontë për Francën!

The daily Telegraph

Autori

Sylvie Bommel është gazetare. Shkruan portrete intime personalitetesh të fushave të ndryshme për revistat Vanity Fair dhe Le Journal du Dimanche. Më 2017 botoi librin e saj të parë, “Penelope”. Sylvie Bommel është autorja e sondazhit të parë mbi çiftin Macron, botuar pas zgjedhje, në maj 2016, në gazetën L’Express.

Fragmente nga libri

1) Në librin e vet “Revolucion” (Revolution), Emanuel Makroni i kushton disa rreshta njohjes me gruan e jetës së tij. “Në atë kohë, ajo kishte tre fëmijë dhe një burrë. Ndërsa unë isha veçse një nxënës. Ajo nuk më dashuroi për atë që kisha. Për karrierën. Për mbështetjen apo sigurinë që i jepja. Ajo i braktisi të gjitha këto, për mua”.

2) Ndarje të tilla, të dhimbshme, do të vazhdojnë dhjetë vjet me radhë. Dhjetë vjet për të kaluar nga të qenit klandestinë, te kanapeja – shtrati i parë. Dhjetë vjet, gjatë të cilëve ajo jeton dhe punon në Amien, ai studion në Paris ose Strasburg, Bove ose Abyzha, kryeqyteti i Nigerisë, ku kreu praktikën. Dhjetë vjet, gjatë të cilëve, të paktën në letra, ajo është gruaja e Andre Ozierit. Dhjetë vjet para se ai, që ajo e quan “zemra ime”, të pranohet në drekat familjare të familjes Tronjë. Dhjetë vjet për t’u lënë kohë fëmijëve të rriten dhe të mësohen gradualisht me idenë se ky vëlla i madh i lezetshëm, mund të bëhet një ditë njerku i tyre. Dhjetë vjet biseda telefonike në kabinën e cepit të rrugës, sepse telefonat celularë janë të rrallë dhe shumë të shtrenjtë. Dhjetë vjet mëdyshje për Brizhitën në atë trenin e trishtë Koraj, që e kthen në Amien dhe që kutërbon era duhan edhe në kabinat ku ai nuk lejohet. Dhjetë vjet vetëbesim për Emanuelin, i cili do të kapërcejë të gjitha barrierat mes gjimnazistit të ardhur nga provinca dhe funksionarit të lartë, i cili ndihet i shpenguar si peshku në ujë përballë elitës parisiene.

3) Nga ç’shtresë sociale vjen Brizhita? Me ç’lugë ia konin muhalebinë? Prej plastike, hekuri, metali të larë në argjend, argjendi, apo argjend i veshur me flori? Dy shekuj e ca pas Revolucionit, çështja e shtresës sociale të origjinës mbetet përbërëse e rëndësishme e çdo fati, nuk prita lëvizjen e Jelekverdhëve për t’u bindur për këtë. Sikur Ema Bovari, pas së cilës Brizhita është pasionuar aq shumë, të ishte bija e një shërbëtoreje, dhe jo e Xha Rualit “një nga fermerët me të pasur”, na saktëson Floberi, nuk do të ishte martuar me një doktor, as do të kishte njohur limontinë, nënën e të gjitha veseve, sikurse dihet. Dhe, mbi të gjitha, nuk do shkonte në qiellin e shtatë me Rudolfin për pasdite të tëra, duke ia lënë Bertën e vogël mëndeshës, sepse vetë ajo do të kishte qenë mëndeshë.

Titulli: Ai sa kish mbushur të shtatëmbëdhjetat

(Të fshehtat e Brigitte Macron)

Titulli në origjinal: Il venait d’avoir dix-septans

Autore: Sylvie Bommel

Përktheu: Blerta Hyska

Zhanri: Biografi

Data e botimit: tetor, 2019

Numri i faqeve: 164

Çmimi: 600 lekë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu