Ishte fillimi i viteve 2000 kur kënga “Me ritëm do vallëzoj” u bë hit i kohës, por kjo ishte vetëm një pikënisje e këngëtares nga Prishtina, Eliza Hoxhës e cila më vonë u bë zëri më i veçantë dhe i dashur për publikun.
Muzika nuk ishte e vetmja rrugë që Eliza ndoqi. Ajo gjithashtu iu përkushtua profesionit të saj arkitekturës e së fundmi edhe politikës.
Por, muzika është në qelizat e saj dhe jo lehtë mund ti ndahet. Këtë e dëshmoi me projektin e fundit të cilin për herë të parë e shpalosi mbrëmë përmes një video të përmbledhur. Eliza e ka befasuar publikun në këtë kohë pandemie duke u rikthyer me një album retro që përmes zërit të saj të veçantë sjell këngë të këngëtarëve të viteve ’80 / ’90 për të cilët Eliza pohon që kanë qenë inspirim për të si e vogël.
Deniza Begolli, Vizionet e thyera, Ilirjana Riza, Fillimi i fundit, Telex, Dukagjin Lipa/Oda, BB Poqi/Babilon, janë disa nga artistët, këngët e të cilëve Eliza ka vendosur t’i sjell në ngjyrë e ton të ri me interpretimin e saj.
Eliza ka njoftuar që shumë shpejt këngët do të vijnë veç e veç në YouTube.
“Të dashur miq, po e ndaj me ju këtë projekt që është punuar e përfunduar para disa viteve dhe asnjëherë nuk e pa dritën për shkak të angazhimeve të mia të tjera… Studimet e doktoratës në Graz, Austri dhe më pas angazhimi në politikë e lanë në prapaskenë. Por, meqenëse si audio format është i kryer dhe tash në këto rrethana nuk po kam mundësi t’i kushtohem më tepër muzikës vendosa ta ndaj me ju në këtë formë”, ka shkruar Eliza e cila tutje ka falënderuar edhe bashkëpunëtorët për realizimin e këtij projekti.
“E falënderoj Florent Boshnjakun për punën fantastike dhe përkushtimin e tij në ri-orkestrimin dhe përpunimin e këngëve të realizuara në Dream House Studio, Prishtinë. Bashkëpunëtorët: Armend Xhaferi në kitarë, Valon Gashi në kitarë, Dardan Gjinolli në saksofon.”
Krejt për fund, Eliza uron dhe shpreson që ky album të ju ndryshoj disponimin në këtë kohë izolimi.