“Vizita e një ambasadori të SHBA në Vlorë, është shprehje e mbështetjes dhe e vlerësimit për qytetarët dhe qytetin e Vlorës, është rikonfirmim i marrëdhënieve të ngushta reciproke mes dy vendeve, një marrëdhënie shumëplanëshe për të cilën ne, vlonjatët, ashtu si të gjithë shqiptarët, jemi krenarë, duke qenë njëkohësisht një nga popujt me amerikandashës në Evropë”, shkroi në një postim në Facebook, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
“Kjo është një vlerë e madhe që ne mbartim dhe që reflektohet çdo ditë në aktivitetin tonë, si një mirënjohje ndaj aleatit tonë më të madh, simbolit të demokracisë, SHBA-ve. Qyteti ynë i bukur, model i turizmit shqiptar, është një arsye më shumë që, ne të ndihemi krenarë teksa presim Ambasadoren Znj, Yuri Kim, vizita e të cilës sjell vlera, që rrisin ditë pas dite besueshmërinë tek demokracia. Mbështetja që japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Reformën në Drejtësi, si pika më fondamentale për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të gjithë ata që kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën këtu, për fëmijët tanë, është edhe një mundësi për të parë me më shumë dashuri vendin tonë, falë vlerave që po rithemelohen në një dimension tjetër, falë mbështetjes së aleatit tonë strategjik. Prandaj dhe besimi ynë tek e nesërmja është më i madh, ashtu siç është i tillë edhe optimizmi tek vijueshmëria e mbështetjes për reformat e ndërmarra në vend, ku roli i SHBA-ve, është i pazëvendësueshëm.”
Më tej, Leli shkroi:
“Ne besojmë se, Reforma Elektorale, si një nga ato momente ku reflektohet drejtpërdrejtë mbështetja e SHBA dhe Ambasadores, Yuri Kim, është edhe një mundësi falenderimi me bindjen se, pas kësaj reforme do të ketë të zgjedhur me më shumë vlera, njerëz që e duan këtë vend, që janë përpjekur të jenë korrektë gjatë jetës së tyre për t’u bërë qytetarë të denjë në një sistem vlerash demokratike, të vlerave të qytetarisë. Në këtë këndvështrim, misioni i Ambasadores së SHBA është sa diplomatik, po aq edhe human, në funksion të konsolidimit të vlerave të demokracisë në Shqipëri. Unë vetë, kam ardhur në detyrën e nderuar të Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, nga shoqëria civile, i përzgjedhur nga Kryeministri Rama, duke e drejtuar këtë qytet në dy mandate. Ky fakt, përfaqëson një shembull se si qytetaria mund të bëhet pjesë dhe të përfaqësojë vlera , të votohet nga qytetarët dhe të drejtojë një qytet drejt më të mirës. Vlora e këtyre 5 viteve, përbën një shembull të bashkëpunimit mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit lokal, për ta ndryshuar faqen e qytetit, gjë që ne e shohim çdo ditë, teksa transformimi është një proces i dukshëm dhe i prekshëm nga të gjithë, qytetarë vlonjatë dhe të tjerë, vizitorë e turistë nga Shqipëria e vende të ndryshme të botës. Ky ndryshim, është pasqyrim i drejtpërdrejtë i mbështetjes së Qeverisë dhe Kryeministrit, Edi Rama për Vlorën, në funksion të shndërrimit të saj në një pol shumë të fuqishëm turistik në të gjithë pellgun e Mesdheut, për të patur zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, për ta përkthyer atë në ekonomi. Investimet e realizuara gjatë 5 viteve të fundit në infrastrukturë, janë shoqëruar me ndryshime në investime të biznesit, të cilat as nuk mund të mendoheshin pak vite më parë.”
“Në morinë e këtyre investimeve në vijim, përfshihet edhe projekti i rikonstruksionit të shkollës “Selam Musai”, i realizuar nga forcat e ushtrisë amerikane, një financim me simbolikë domethënëse. Të gjitha këto ishin pjesë e bashkëbisedimit të sotëm me Ambasadoren Yuri Kim, e cila ofroi mbështetjen e saj për bashkupunimin e mëtejshëm. Teksa shprehu kënaqësinë për bukurinë e Vlorës, ajo theksoi se, “Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi, janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë”. Sipas saj, këto dy reforma janë të rëndësishme në funksion të forcimit të demokracisë dhe të përmirësimit të mjedisit të favorshëm për investime, qoftë të qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre amerikanë në Shqipëri.”
Për ta përmbyllur me:
“Ju falenderoj për mbështetjen që ju jepni për SHBA, këtu në Vlorë”, nënvizoi Ambasadorja e SHBA-ve. Ambasadorja vazhdoi më pas me një vizitë në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, në Bazën e Pashalimanit dhe një takim me të rinjtë në Këndin Amerikan Vlora.”