Ylli i Hollivudit, Geoffrey Rush, ka fituar një dëmshpërblim shumë miliona dollarësh, pasi një apel ndaj një gazete në pronësinë e Rupert Murdok për shpifje, u rrëzua nga një gjykatë australiane.
Fituesi i çmimit Oskar do të marrë tani 2 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblim për fitimet e humbura dhe kompensim, pasi gjykata rrëzoi apelin që kërkonte reduktimin e kostos dhe rigjykim të rastit. Vendimi, kundër kompanisë së Murdok, është më i fundit në një betejë të gjatë ligjore mes Rush dhe “Daily Telegraph”, që e kishte akuzuar aktorin për sjellje të papërshtatshme seksuale kundrejt pjesëtareve femra të kastit.
Në një artikull në faqen e saj kryesore, të botuar në 2017, “Daily Telegraph” shkruante se Rush kishte prekur në vende intime një bashkëaktore femër gjatë vënies në skenë të “Mbretit Lear”.
Një gjykatës në Sidnei e cilësoi përmbajtjen si të papërgjegjshme. Mediat lokale thanë se shuma që i është dhënë Rush është më e madhja e paguar ndonjëherë ndaj një individi në Australi, vend ky që ka ligje strikte kundër shpifjes. Rush fitoi çmimin Oskar në 1997-ën për rolin e tij në filmin “Shine” dhe është një nga të paktët yje që ka fituar një “Golden Globe”, një “Emmy” dhe një çmim “Tony”.