Partia Demokratike ka nisur një proces hapjeje dhe baza ka shtuar presionin për të rikandiduar për deputetë “grupin” e Berishës.
Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, një prej të rinjve që janë angazhuar pranë kësaj partie, thotë se dera e PD-së është e hapur për këdo që do të bashkëpunojë dhe të japë kontributin e tij për rikthimin e saj në pushtet.
Por në intervistën për Rtv Ora, Balliu thotë se në PD nuk ka vend asnjë përson që e shikon këtë parti si “lopë për ta mjelur”.
Balliu: Kushdo që do të marrë pjesë është mëse i mirëpritur për nëse dikush e sheh se nëse nuk është deputet PD nuk bën, se nëse nuk është Ministër ai PD nuk bën. Ai nuk e ka vendin në atë parti sepse ai e sheh atë parti për ta mjelur dhe nesër e sheh edhe Shqipërinë për ta mjelur.Këto figura duhet ti ndajmë. Kushdo që ka dëshirën të angazhohet patjetër që është i mirëpritur për të punuar për interesat kombëtare të Shqipërisë.Tezat që të vi unë dhe ikë ky nuk funksionon. E kam shumë mirë parasysh kush janë emrat që ju mendoni, PD nuk u ka asnjë borxh atyre njerëzve se i mbajti 8 vjet Ministra dhe deputetë. Janë ata në borxh me PD dhe strukturat e PD. Duhet të vërtetojnë dhe të punojnë më shumë se çdokush që PD të vijë në pushtet dhe pastaj të mendojnë për karrierat e tyre.
Procesi i përzgjedhjes se kandidatëve për deputet dhe kryetarë bashkie nga anëtarësia, po i jep Partisë Demokratike mundësinë jo vetëm të hapet ndaj emrave të rinj por edhe për të përfshirë në proces të larguarit e 2017-ës apo kritikët e Bashës.
Demokratët e Shkodrës kanë propozuar Jozefina Topallin, për të qenë sërish deputete e kësaj force politike.
Në Vlorë kërkohet rikthimi i Bujar Leskajt, ndërsa anëtarësia në Tiranë ka propozuar edhe ish- Ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj.