Jeta pas heqjes së masave kufizuese ndaj Covid-19

0
Gjigandi

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera fillojnë ngadalë të heqin masat kufizuese ndaj Covid-19, disa elementë të jetës pandemike nuk do të zhduken kaq shpejt. Maskat dhe distancimi fizik do vazhdojnë të mbeten në fuqi, thonë ekspertët, dhe ndërsa palestrat dhe restorantet po rihapen, ato do të punojnë me kapacitet të përgjysmuar. Këto dhe masa të tjera do të jenë pjesë e normalitetit të ri të botës të paktën derisa të prodhohet një vaksinë kundër Covid-19.

Më shumë se gjysma e shteteve amerikane po heqin masa kufizuese dhe ngadalë po rihapin ekonomitë e tyre. Shumë plazhe në Florida dhe Kaliforni po rihapen, përfshirë restorantet, dyqanet me pakicë, floktoret dhe palestrat në të gjithë vendin. Por bizneset janë të detyruara të operojnë duke respektuar masat e distancimit fizik dhe përdorimin e maskave.

“Nëse do të hyja në një restorant, ku do të shihja që kamerierët ose punonjësit e tjerë nuk përdorin maska dhe doreza, unë nuk do të haja aty. Do të më bënte goxha nervoz”, thotë Summer McGee, dekane e fakultetit të Shëndetësisë në Universitetin New Haven. Maskat janë të domosdoshme në floktore, dyqane dhe sistemin e transportit publik.

Pezullimi i kësaj praktike në përgjigje të pandemisë së koronavirus nuk do të ndodh shpejt. Në pandemitë e mëparshme, disa masa që në fillim dukeshin të çuditshme, u bënë të zakonshme për njerëzit. “Pështyrja ishte sjellje e zakonshme në zonat urbane amerikane dhe ajo u shua pas pandemisë së gripit të vitit 1918. Pranë çezmeve të ujit gjithmonë kishte një got uji për përdorim të përbashkët. Kjo ishte vetëm një gjë që njerëzit e morën si të mirëqenë. Dhe kjo u zhduk menjëherë pas pandemisë. Ne kemi përjetuar këto efekte afatgjata!”, tha James Holland Jones nga Instituti Stanford Woods për Mjedisin.

Distancimi fizik është një tjetër gjë që nuk ka gjasa të zhduket së shpejti, qoftë në palestër, plazh apo gjatë shëtitjeve në park. “Pjesa e vështirë për palestrat është përdorimi i maskave sepse gjatë stërvitjeve, vrapit procesi i frymëmarrjes është i shpejtë dhe i thellë. Përdorimi i maskave do ta bënte frymëmarrjen të vështirë. Por unë mendoj se nëse do të mund t’i vendosnim pajisjet në një distancë më të madhe mes tyre dhe të inkurajojmë njerëzit që t’i pastrojnë ato pas çdo përdorimi, ne ndoshta do të mund rihapnim palestrat në mënyrë të sigurt”, tha Summer McGee, dekane e fakultetit të Shëndetësisë në Universitetin New Haven.

RonaTyra

Udhëzimet kundër shtrëngimit të duarve, përqafimeve dhe puthjeve në faqe do të vazhdojnë të jenë në fuqi. Mjekët thonë se nëse dikush i injoron këto udhëzime, atëherë është e rëndësishme t’u shpjegohen atyre arsyet e distancimit fizik. “Mund të thoni edhe unë dua t’ju përqafoj, por ju e dini se ne duhet t’i respektojmë udhëzimet. Mënyra se si e shpreh dashurinë për ju është duke mos ju përqafuar!, tha Daniel Sulmasy, drejtor në detyrë i Institutit Kennedy për Etikën.

Pavarësisht heqjes së disa masave kufizuese, mjekët ende i inkurajojnë njerëzit të qëndrojnë më shumë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme. “Nuk do të jetë kështu përgjithmonë. Unë mendoj se brenda një viti ose dy do të kemi një vaksinë dhe do të jemi në gjendje të kthehemi në jetën tonë normale.

Dhe unë mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të kujtojnë se ka një dritë në fund të tunelit, se nuk do të jetë kështu përgjithmonë!”, tha Summer McGee, dekane e fakultetit të Shëndetësisë në Universitetin New Haven. Shumica e amerikanëve kanë qëndruar në shtëpi për rreth dy muaj. Shumë prej tyre janë aq të etur për të dalë jashtë më shpesh, sa që maskat dhe distancimi fizik nuk do t’i pengojë ata.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu