Nuk ka asnjë intervistë televizive që Eranda Libohova të mos pyetet për jetën e saj private dhe sa më shumë hermetike tregohet, aq më shumë shton kureshtjen e fansave të saj. Ndoshta kjo është arsyeja pse Ervin Kurti, megjithëse është një mik i mirë me këngëtaren, nuk mund të rrijë pa e ushtruar profesionin e tij para se ta ftojë Erandën në program. Kështu që, s’mund të shpëtonte as këtë herë pa “gërmuar” pak.
Në një intervistë aspak të zakonshme të realizuar në një kopsht të paqtë në “E Diell”, Eranda, e ulur në një kolovajzë me Tekilën (qenin e saj), iu përgjigj një për një thumbave të Ervinit për jetën private.
Së pari, këngëtarja sqaroi deklaratën e para disa muajve që sipas portaleve ajo kishte qarë për një dashuri të para 22 viteve, sepse i ishte dashur të largohej në SHBA.
“Titulli s’kishte lidhje me lajmin. Kur kalon koha, njeriu është dhe më i ftohtë emocionalisht dhe i tregon gjërat më kollaj”,- rrëfeu ajo duke konfirmuar se, megjithatë, ajo ishte një histori e vërtetë.
Mirë dashuria e para 22 viteve është harruar, po çfarë kërkon Eranda nga një dashuri aktuale, duke qenë se është e pavarur ekonomikisht, ka një shtëpi të sajën dhe është e afirmuar nga ana e karrierës?
“Po pres njeriun e mirë, pra”, – tha me të qeshur këngëtarja, madje foli edhe për fustanin e bardhë, atë idealin, sipas shijeve të saj të sofistikuara:
“Do doja të ishte një tubino, pra një fustan i ngjitur pas trupit, poshtë gjurit, që edhe t`i tregojmë pak këmbët”.
Dasma ka bërë shumë, shumë çifte janë martuar duke dëgjuar zërin e Erandës, kështu që ajo nuk ka arritur të mendojë për dasmën e saj. Kur ajo ditë të vijë, ku i dihet, ndoshta nuk ka nevojë as për një ceremoni të madhe, as për fustane princeshe apo kokëçarje të tjera dasme, që jo të gjithë i menaxhojnë njëlloj.