Shiu që ka rënë këto ditë u përshtatet shumë kërmijve
Kërmijtë janë dëmtues të kopshtit. Për një kohë shumë të shkurtër janë në gjendje të bëjnë dëm të paparë: hanë fidanët e rinj, bimët sapo të mbira, sallatën, borzilokun e ri, koprën etj.
Kopshtarët, kanë menduar dhe shpikur se me çfarë mund t’i përzënë përgjithmonë kërmijtë nga kopshti juaj:
1. Mielli i misrit
Në mbrëmje vendosni në kopsht një kavanoz me miell misri, ndërsa në mëngjes rreth tij do të gjeni grumbuj kërmijsh të ngordhur. Kështu veproni çdo mbrëmje, derisa këta dëmtues të zhduken të gjithë.
2. Birra
Qitni birrë në një enë të cekët siç është p.sh. pjata dhe lëreni në kopsht. Në mëngjes do të gjeni në të kërmij “të mbytur”, sepse birra i tërheq si mjalti bletët.
3. Rëra
Rëra përreth kopshtit do të bëjë barrierë të njëjtë si edhe lëvozhgat e vezëve. Kërmijtë nuk do të kalojnë mbi të, ndërkaq bimët tuaja do të jenë të sigurta.
4. Amoniaku
Përzieni 1 pjesë amoniaku dhe 6 pjesë ujë. Spërkatni këtë mjet gjithandej rreth kopshtit dhe kërmijtë nuk do t’i ofrohen kopshtit tuaj.
5. Lëvozhga vezësh dhe llum kafeje
Lëvozhgat e vezëve i presin kërmijtë dhe ata nuk mund ta kalojnë mbi skajet e mprehta të lëvozhgave, ndërsa llumi i kafes me aromën që kanë i ndjekin kërmijtë. Prandaj, bëni barrierë nga lëvozhgat e vezëve dhe llumi i kafes rreth kopshtit tuaj.
6. Qeset e bërllokut
Rendisni qeset e bërllokut nëpër sipërfaqe dhe në to qitni pak ujë. Lagështia do t’i tërheqë dhe kërmijtë do të hyjnë në qese dhe do t’ju presin deri në mëngjes.
7. Gjuetarët natyralë
Iriqët, bretkosat dhe pulat i shkatërrojnë kërmijtë. Nëse i keni këto kafshë në kopsht, kërmijtë nuk do t’u ofrohen.
8. Bakri
Vendosni një gyp bakri atje ku janë fidanët dhe bimët e ndjeshme. Bakri ka reaksion natyral ndaj jargëve të kërmijve, gjë që këta dëmtues i trondit sikur nëpër gyp ishte lidhur rryma. I vetmi problem është që kërmijtë brenda kopshtit nuk do të mund të dalin jashtë, prandaj kopshtarët propozojnë që brenda telit të bakrit të vendosin kurthe nga mielli i misrit ose birra.