Mjeku dhe eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho ka sjellë një shembull pozitiv sipas tij të menaxhimit të koronavirusit, që duhet implementuar edhe nga Shqipëria.
Në një postim të fundit mjeku Dasho, shkruan se pavarësisht se mënyra për gjurmimin e rasteve pozitive me koronavirus, ka ndryshuar nga deviza Test-Test-Test, në Testo-Gjurmo-Trajto, përsëri testimi është baza e përgjigjes, dhe e dhëna më e besueshme, pa të cilën është vështirë të ndërtosh një përgjigje efektive ndaj Covid-19.
Dasho thekson se jo vetëm Gjermania ka ndjekur strategjinë e testimit në masë, por edhe Serbia, një vend i ngjashëm me ne, i cili teston sot disa herë më shumë se Shqipëria. Kjo mbasë është edhe arsyeja që BE i hapi kufijtë për Serbinë, por jo për vendin tonë.
Postimi:
“NJË SHEMBULL NGA FQINJËT
Pavarësisht se 3 “T-të” e devizës Test-Test-Test kanë ndryshuar dhe ajo tashmë është transformuar në Test-Track-Treat (testo-gjurmo-trajto), testimi mbetet baza e përgjigjes. Kjo sepse, pa të dhëna të besueshme, është e vështirë të ndërtosh një përgjigje efektive ndaj COVID-19.
Që në fillimet e epidemisë, Serbia ngriti një rrjet laboratorësh që për nga balanca midis kostos dhe cilësisë përfaqësonte zgjedhjen më të mirë të mundshme në treg.
Sot Serbia teston 5-6 herë më tepër se Shqipëria dhe kurba e epidemisë në këtë vend i lejon politikëbërësve të marrin masa të bazuara mbi evidenca dhe, po ashtu, të shohin efektin e masave të marrin.
Shembujt e mirë nuk janë vetëm në Gjermani, ato gjenden edhe në vendet e ngjashme me ne. Rëndësi ka t’i evidentojmë dhe t’ua përshtatim kushteve të Shqipërisë”.