Situatë shqetësuese me covid19 në Shqipëri, 44 viktima në pak më shumë se tre javë

0
Gjigandi

Në Shqipëri, një tjetër mjek humbi jetën si pasojë e koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se doktor Hysni Shkjau, 69 vjeç, “nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre.

Ai luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese”, bëri të ditur ministria.

Doktor Shkjau, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.

Një javë më parë, po në spitalin Infektiv, u nda nga jeta dhe një profesor i njohur i Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi, me një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar dhe dy viktima të tjera, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, për të cilët nuk bëhet e ditur nëse kishin sëmundje të tjera shoqëruese. Në total, janë 79 persona që kanë humbur jetën, nga të cilët 44 vetëm në pak më shumë se tre javë.

RonaTyra

Që pas dhjetë ditëshit të parë të qershorit, situata e pandemisë në Shqipëri ka njohur një përkeqësim të ndjeshëm, me raste të reja të shumëfishuara e po ashtu dhe një numër në rritje të viktimave. Sipas të dhënave të fundit, në 24 orët e fundit janë zbuluar 71 raste të reja, në 16 qytete të ndryshme. Në të gjithë vendin numërohen 2964 të infektuar që nga fillimi i pandemisë. Më shumë se gjysma e tyre të konfirmuar vetëm në 4 javët e fundit.

Problematike mbetet situata në spitalin Infektiv, ku numri i rritur i pacientëve, po shoqërohet me një numër të lartë personash të cilët janë në gjendje kritike. Të dhënat e fundit tregojnë se “janë të shtruar 78 pacientë në spital, prej të cilëve 9 në gjendje serioze në terapinë intensive, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rëndë”.

Numri i testimeve përgjithësisht ka qenë thuajse i njëjtë në dy javët e fundit, mbi 350, ndërsa në 24 orët e fundit është shënuar dhe numri më i lartë me 459 testime. “Përqindja e pozitivitetit është reflektuar me një nivel qëndrueshmërie pothuaj të njëjtë gjatë gjithë javës”, që shkoi, deklaroi sot Eugena Tomini e Institutit të Shëndetit Publik. Në fakt të dhënat e vetë autoriteteve tregojnë se përqindja e pozitivitetit ka qenë me ulje-ngritje, nga 15.4 për qind në 24 orët e fundit, deri në afro 25 për qind më datë 3 korrik.

Presidenti Ilir Meta tha sot se “ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.

Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë”, theksoi zoti Meta në një status në Facebook ndërsa shprehte keqardhjen për ndarjen nga jeta të mjekut Shkjau. “Përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”, shkruajti Kreu i Shtetit./voa

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu