Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i bëri thirrje Bordit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar të anulojë kontratën prej 1.8 milionë euro për blerjen e transmetimit të kompeticionit futbollistik Uefa Champion League.
Duke e konsideruar një shpenzim qejfi, Balla tha se fare mirë me këto para mund të ishin blerë sisteme transmetimi për të mbuluar çdo pjesë të territorit.
Komentet Balla i bëri pas raportit të RTSH për vitin 2019.
Balla: Nevoja e mbulimit me antena dhe sinjal të domosdoshëm.Kushdo që është deputet i zonave rurale malore në këtë vend e di mirë që sinjali i TVSH nuk penetron. Para se të duartrokasim herë pas here sa herë vinë raporte institucionesh, roli i Kuvendit nuk është të ratifikojë raporte të cilat thjesht dhe vetëm ripërsëriten vit pas viti. Kontrolli parlamentar duhet të jetë i tillë që të vendosë afate dhe të monitorojë afate. Në rastin e Këshillit Drejtues të RTSH që monitoron punën e përgjithme të televizionit nuk e di nëse është raportuar se sa është rritja e zonës së mbulimit nga televizioni publik krahasuar me një vit më parë.
Përfitoj nga rasti ti tërheq vëmendjen televizionit publik për shpenzime të pavlefshme që lidhen me blerjen e ndeshjeve të Champions League, të UEFA League me vlera marramendëse do të thoja. Nuk e di pse duhet të harxhojë 1.8 milion euro televizioni publik shqiptar për të blerë ndeshjet e Champions League, të cilat hyjnë në sektorin e qejfit.Shqiptarët jetojnë edhe po nuk e panë Champions League, shqiptarët madje jetojnë edhe më mirë nëse nuk e shohin UEFA League.
Nuk mund të toleroj, me këto para mund të ishin blerë sisteme transmetimi për të mbuluar çdo cep të territorit. Jam deputet i zonës time në radhë të prë përpara se të jem kryetar i grupit parlamentar të PS.
I kam pa fund çdo vit sms-të, ankesat nga banorët sikurse i kanë të gjithë kolegët e mi dhe që mezi presin që investohet. 1.8 milion euro të shpenzuara për Champions League dhe UEFA League, 40 mijë euro një ndeshje futbolli, as e para dhe as e dyta por treta në renditje nuk besoj se janë një shpenzim që i bëjnë nder një televizioni publik shtetëror. As BBC, as RAI, as ERT në Greqi nuk marrin para të harxhojnë për këtë. Ne duam që televizioni publik, që në kohën e pandemisë u bë një transmetues i domosdoshëm për mësimin, do të doja të vazhdonte edhe gjatë sezonit të verës.
Të gjithë e pranojmë që ky vit shkollor ka qenë shumë i vështirë me dy ndërprerje të zgjatura në kohë pas tërmetit dhe pas fillimit të pandemisë. Nuk mendoj që ne si Kuvend të duartrokasim Këshillin drejtues të RTSH që me një vendim qarkullues ka miratuar 1.8 milion euro për këto shpenzime.
Për këshillin drejtues të RTSH nuk ka nevojë më të bëjmë më qoka personale apo politike, 6 ne dhe 6 PD, apo 6 ne dhe 6 ju. Kjo histori do të marrë fund, nuk ka punë të jetë as PS dhe as PD. Në Këshillin Drejtues të RTSH do të jenë 12 veta që të jenë ekspertë të fushës që ta shndërrojnë atë institucion në një korporatë mediatike moderne ku vendimmarrja buron ga nevoja për të rritur audiencën dhe ku investimet dhe shpenzimet bëhen nga nevoja për të aksesuar këtë shërbim publik te çdo qytetar.
I bëj thirrje televizionit publik shqiptar brenda mundësive, pa penalitete, të anulojë këtë kontratë e cila nuk i bën nder një televizionin publik sepse është shpenzim i kotë.
Ndërsa paketa antishpifje është një domosdoshmëri që duhet ta kalojmë shumë shpejt por sipas rekomadimeve të Venecias.