Të jesh një social-influencer është kthyer në diçka normale vitet e fundit. Njerëzit duket se po i tërheq gjithnjë e më shumë ideja e të bërit para nga Instagram-i dhe rrjetet e tjera sociale. Në fakt nuk kanë faj, pasi gjithkush do të tundohej duke marrë parasysh fitimet që ky lloj “biznesi” sjell.
Sipas një raporti të fundit, çmimi mesatar i një fotoje të sponsorizuar në Instagram është rritur nga 134 dollarë në 2014 në 1642 dollarë në 2019.
Markat duket se janë të predispozuara të paguajnë jo pak për të sponsorizuar postime, video, histori dhe blogje. Por sidoqoftë, e gjithë kjo, nuk shënon fundin e reklamave tradicionale. Sipas ekspertëve, marketingu digjital po njeh rritje të frikshme, por do të ketë gjithnjë një miksim mes tij dhe reklamave tradicionale.
Nga mikro-influencers, njerëzit me më pak se 100 mijë ndjekës, e deri tek VIP-at, në mediat sociale, mund të bëhen shumë para.
Sipas të dhënave, kostoja mesatare për një foto të sponsorizuar në Instagram është rritur me 44% nga viti 2018 në vitin 2019. Për një postim të sponsorizuar në blog, çmimi është rritur nga 7.39 dollarë në 2006-ën, në 1442 dollarë në 2019-ën.
Videot në Youtube kanë shënuar rritjen më të madhe nga 420 dollarë në 2014-ën në 7600 dollarë në 2019. Një status i sponsorizuar, në Facebook, kushton sot 395 dollarë, ndërsa një postim në Twitter 422 dollarë.
Zoe Sugg (Zoella), Rita Ora dhe modelja Rosie Huntingon-Whiteley, janë mes social-media influencers me më shumë ndikim e fitime. Sa më shumë rritet popullariteti, aq më i lartë është edhe fitimi.
E ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz nxitojnë të bëhen social-media influencers, industria po fillon të vendoset gjithnjë në shënjestrën e rregullatorëve. Pak kohë më parë social-influencerve iu kërkua që të vendosin hashtagun #ad në postimet e tyre, që të lë të kuptosh që është një reklamë.
Si thoni, jeni gati të bëheni një social-influencer?