Me një faleminderit për këtë mbrëmje të mrekullueshme përshëndetej çifti gjerman Ahrens të shtunën mbrëma nga anëtarët e shoqatës URACult duka dalur nga salla e shtëpisë Altes Pfandhaus në Köln, pas koncertit „URACult Ethno Jazz“. Ishte ky një koncert i cili tingëllonte disi ndryshe nga koncertet tjera të kësaj shtëpie.
Koncerti për të cilin kishin shkruar edhe gazeta të ndryshme Jazz-i në Gjermani, kishte zgjuar kurreshtjen edhe te shumë mysafirëve, si për artistët nga Ballkani por edhe për Ethno Jazz-in që do të prezentohej në këtë shtëpi në këtë mbrëmje.
Jo pa arsye, Altes Pfandhaus njihet si një nga adresat më e njohura të Jazz-it në Gjermani. Qysh në hyrje, mysafirëve të saj ju bien në sy muret e dekoruara me foto të yjeve botërore që kanë performuar në këtë shtëpi në dekadat e fundit. Të shtunën e kaluar, yjet në këtë tempull të Jazz-it ishin Rona Nishliu, Kiril Tufekcievski, Nesim Maxhuni dhe Edon Ramadani të cilët të bashkuar në grupin “Rona Nishliu Quartet” dhuruan momente të paharruara për publikun që përbëhej nga shqiptarë dhe pjesëtarë nacionalitetesh të ndryshme.
Pas promovimit të albumit “Mindil” në Prishtinë në Prill të këtij viti e disa javë më vonë edhe në Shkup, ishte ky prezentimi i parë i albumit në Evropën perëndimore. Shoqata URACult nga Köln, tashmë e njohur për organizime kulturore të nivelit të lartë në Gjermani për gati pesë vite, kishte bërë përgaditjet e duhura për prezentimin e “Rona Nishliu Quartet”.
Për gati një orë e gjysmë, Rona Nishliu dhe kolegët e saj ofruan një performacë të shkëlqyeshme. Kurreshtja e atyre që për herë të parë dëgjonin këtë grup muzikor u shëndërrua në ngazëllim. “Moj e mira te pojata” e Haki Misinit apo “Mallëngjimi”i Muharrem Qenës por edhe secila këngë në këtë mbrëmjë u shpërblyen me duartrokitje të gjata. “Ta dëgjosh Bareshën në Prishtinë apo Tiranë është disi normale por ta dëgjosh këtë këngë në mes të Köln-it, ishte diçka e veçantë dhe emocionale” shprehej një student i ri shqiptar i posaardhur në Gjermani, pa fshehur befasinë që kishte gjetur një organizim të tillë kulturor nga komuniteti shqiptar në Gjermani.
Harmonia në skenë e Rona Nishliut dhe kolegëve të saj por edhe pjesët solo të gjithë anëtarëve të grupit, ishin me të vërtëtë mbresëlënëse dhe ngritën në këmbë gjthë publikun.
“Një grup i talentuar dhe i këndshëm, një hapësirë e bukur dhe elegante shfaqjeje ku kishim mundësinë që të jemi shumë afër artistëve dhe të shijojmë shfaqjen në maksimum”, fliste australianja Jemima e shoqëruar nga miku i saj Anthony.
Mbresëlënëse ishte mbrëmja edhe për Rona Nishliun. “Eksperiencën e kësaj mbrëmjeje, secili nga ne do ta mbajmë si një kujtim plot magji” përshkruan Nishliu mbrëmjen në Köln. Këtyre fjalëve mbetet vetëm ti shtohet urimi për një performancë të shkëlqyeshme të një albumi i cili është një kontribut i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë muzikore.