Nëse vite me parë fëmijët me syze optike numëroheshin me gishta në shkollë, sot, në çdo klasë është i konsiderueshëm numri i tyre.
Mjekët fajësojnë teknologjinë dhe aparaturat elektronike si shkaktarët kryesorë të dëmtimit të shikimit tek fëmijët.
Pas vizitave të detyrueshme në grupmoshat 5-6 vjeç, para fillimit të shkollës, okulistët konstatuan se 3 në 10 fëmijë kishin ulje të shikimit dhe probleme te tjera. Sipas tyre, drita e telefonit dhe koha e gjatë përdorimit po shkakton probleme tek brezi i ri.
“Në 10 fëmijë që do të regjistroheshin si grup në parashkollor apo klasën e parë, 3 nga këto fëmijë dilnin me probleme. Kishin ulje të shikimit si rezultat i përdorimit me orë të zgjatura të celularit, ipad, qëndrimi me kohë të zgjatura përpara televizorit. Pra përdorimi i këtyre aparaturave kishte ndikuar shumë negativisht në sytë e fëmijëve”, shprehet okulistja Suzana Zhutka.
Të sapo pajisur me syze apo të mësuar prej vitesh me to, fëmijët tregojnë se vetët pas problemeve me sytë filluan penalitetet nga prindërit.
Ulja e shikimit dhe miopitë janë problemet më të shpeshta tek të vegjlit, ku trashëgimia ka rezultuar faktor i sëmundjes vetëm në një numër të ulët të fëmijëve.
Mjekët iu bëjnë apel prindërve të reduktojnë kohën e qëndrimit të fëmijëve para telefonave celularë, tabletave dhe televizorit, ndërsa t’iu krijojnë mundësi për çlodhjen e syve përmes shëtitjeve në gjelbërim.Burimi: A2