PD ka hedhur akuza të forta kundrejt qeverisë në lidhje me zgjedhjen e kreut të BKH-së.
Me anë të një dalje nga selia e PD-së, nën kryetari i kësaj partie, Edi Paloka tha se kandidatja e vetme Aida Hajna, nën hetim penal për korrupsion me 10 mijë euro.
“Byroja Kombëtare e Hetimit, që pretendohet se do të hetojë krimin e organizuar dhe njerëzit e pushtetit, është institucioni i fundit që po merret nën kontroll nga qeveria. Ajo ka diktuar skualifikimin e të gjithë kandidatëve, duke lënë si emër të vetëm në listë zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajna. Aida Hajna është botërisht e njohur për një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, që la të lirë të kërkuarin për trafik droge Naser Gashi, pasi ai u arrestua rastësisht në Kukës vitin e kaluar.” – tha Paloka.
Paloka tha se Hajna ka mbrojtur trafikantin e drogës Naser Gashi dhe pezulloi nga detyra policin që denoncoi skandalin.
“Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme e Policisë, Aida Hajna, e ngarkuar me hetimin e këtij skandali, mbrojti policët që liruan trafikantin e drogës dhe pezulloi nga detyra policin që e denoncoi skandalin. Ky polic sot është në azil, ndërsa Aida Hajnaj po bëhet gati të drejtojë BKH-në si garanci për trafikantët e drogës dhe të tjerë kriminelë në ortakëri me pushtetin. Aida Hajnaj është e mbytur në skandale. Më poshtë do të citoj pjesë të një raporti zyrtar të SHÇBA, shërbimit që kontrollon nga brenda policinë, por që nuk është marrë parasysh nga Komisioni i Vlerësimit, i cili e ka lënë Aida Hajnën kandidate të vetme.”
Ndërkohë, Paloka shtoi se Hajna duhet të skualifikohet nga gara dhe gara të rihapet për policë të ndershëm.
“Çdo provë flet kundër Hajnës së qeverisë dhe kontrollit politik të Komisionit të Vlerësimit. Për këtë akt të dyshuar korrupsioni, Aida Hajna, pretendente kryesore për të drejtuar BKH-në, vazhdon të jetë akoma në hetim nga prokuroria. Hajna e qeverisë duhet skualifikuar, njësoj si të tjerët dhe gara për kreun e BKH-s duhet të rihapet për të përfshirë policë të ndershëm dhe me integritet. Gara duhet të jetë e drejtë dhe e pandikuar nga politika, në mënyrë që pandëshkueshmërisë së qeveritarëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri t‘i jepet fund sa më parë.”