Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë sot se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla duhet të sqarohen për humbjen e jetës së të riut Agon Musliu në karantinë te Qendra e Studentëve.
Lidhur me këtë, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë që Thaçi duhet të japë përgjegjësi për këto akuza drejtuar Vetëvendosjes.
“Mënyra si po shprehet presidenti në publik është e papranueshme. Duhet të jetë racional dhe i kujdesshëm. VV është partia e vetme në vend, që ia prish planet Thaçit. Edhe sot në konferencë për media, ka thënë tri të pavërteta, duke e akuzuar VV-në. Ne do të shqyrtojmë mundësinë edhe me organet e drejtësisë që të paraqesim rastin. Ai duhet të jap përgjegjësi, nuk janë vetëm fjalë janë akuza të mëdha”.
Pacolli ka thënë që kërkojnë nga Thaçi që të jetë i kujdesshëm dhe jo ta përdorë këtë rast për interesat e tij personale.
“Kjo sjellje është e papranueshme edhe për familjen e të ndjerit. Nuk është e dinjitetshme ta përdorë tragjedinë që ka ndodhur. Presidenti duhet të jetë i matur dhe do të mbajë përgjegjësi për fjalët që po i thotë. S’ka sinjal që e ka nxitur dikush drejt vetëvrasjes të ndjerin Agon Musliun”.
“Presidenti po flet në mënyrë të qëllimshme për ta keqpërdorur rastin tragjik dhe po e akuzon VV në mënyrë të papranueshme. Do ta shohim mundësinë që ta dërgojmë këtë çështje në organet kompetente”.