Mjekja gjinekologe, Anika Dokle, tregon vështirësitë me të cilat është përballur ajo dhe kolegët e saj në maternitet, teksa apelohej për kujdes e respektim masash nga Covid-19
“Nuk është e lehtë që në një spital ku lind jeta, të aktivizosh protokolle që ndalojnë hyrjen e baballarëve, motrave dhe vëllezërve apo gjyshërve të të porsalindurve, por as të fëmijëve dhe të afërmve të grave që operohen për probleme gjinekologjike. Shpesh këto realitete të reja na kanë nervozuar, na kanë trishtuar, na kanë detyruar të kemi sjellje të pazakonta me njerëzit, në një vend ku ditët normalisht duhet të jenë të mbushura plot me gëzim, lule, çokollata dhe kukulla”, shkruan mjekja.
Më tej, ajo thekson se “Prej Janarit e deri më sot kanë lindur rreth 1800 bebe të bukur e të shëndetshëm nga nëna të hijshme e plot shëndet, të cilët i kemi ruajtur me “fanatizëm” nga #Covid19″.
Postimi i plotë i mjekes Dokle:
Le t’i themi dy fjalë të mira…
Prej katër muajsh e pak, në spitalin ku punoj unë kemi adaptuar sjellje dhe realitete të reja për shkak të pandemisë nga #Covid19, pa dalë akoma mirë nga tulatja, stepja dhe frika prej tërmeteve.
Nuk është e lehtë që në një spital ku lind jeta, të aktivizosh protokolle që ndalojnë hyrjen e baballarëve, motrave dhe vëllezërve apo gjyshërve të të porsalindurve, por as të fëmijëve dhe të afërmve të grave që operohen për probleme gjinekologjike. Shpesh këto realitete të reja na kanë nervozuar, na kanë trishtuar, na kanë detyruar të kemi sjellje të pazakonta me njerëzit, në një vend ku ditët normalisht duhet të jenë të mbushura plot me gëzim, lule, çokollata dhe kukulla.
Nuk është e lehtë, aspak e lehtë të inkurajosh nënat e reja veshur me maska e doreza, sepse punës tonë i bëjnë shumë mirë buzëqeshjet dhe prekjet e ngrohta.
Edhe për doktorët dhe mamitë që punojnë me orë të zgjatura është sfidë mbajtja e maskave dhe dorezave pa ndërprerje, pasi saturimet jo të mira të oksigjenit dhe problemet e lëkurës janë më të paktat që mund të ndodhin në kêto raste.
Por a ia vlen kjo “sakrificë”?
Padyshim që po!!
Prej Janarit e deri më sot kanë lindur rreth 1800 bebe të bukur e të shëndetshëm nga nëna të hijshme e plot shëndet, të cilët i kemi ruajtur me “fanatizëm” nga #Covid19
Rroftë Jeta!!