Mami di gjithçka… ose jo

0
1
Gjigandi

Ndalni për disa çaste dhe mendoni për nënën. Mendoni nëse jeni realisht mirënjohës kur bëhet fjala për nënën. Sigurisht, marrëdhënia juaj ndonjëherë shndërrohet në një sfidë, por sinqerisht kush tjetër mund të thotë se ju njeh më mirë se ajo?! Nuk ka një ditë të caktuar e të veçantë për t’i shprehur mamasë mirënjohjen dhe se sa vlerë ka ajo për ju. Studime të ndryshme psikologjike kanë treguar se kur jeni mirënjohës rritet niveli i harmonisë, por gjithashtu rritet edhe niveli i lumturisë që ndien personi të cilit ia shprehni atë. Duket si një situatë gjithë “fitore”!

Marrëdhënia nënë-djalë apo nënë-vajzë është sa e bukur aq edhe komplekse. “Nëna i di të gjitha”, thotë një shprehje, por nuk është tamam kështu… apo “Një nënë e di gjithmonë se çfarë është më e mira për fëmijën e saj, pasi askush nuk e njeh më mirë se ajo. Ndaj besojini instinktit të saj”. Por, a dinë të gjitha mamatë se çfarë është më e mira për fëmijët e tyre? Ndonjëherë, jo. Lexoni më poshtë…

Në fakt, mund të ndodhë që një nënë të mos ia dalë të shkëputet në momentin kur fëmija ka nevojë të largohet nga prindi, që të mundet, jo vetëm të jetojë jetën e vet si adult, por të bëjë edhe zgjedhjet e veta (madje edhe të gabojë), por edhe për të krijuar një identitet të vetin.

Shumë nëna i konsiderojnë fëmijët si zgjatim të vetes, si vijim i personalitetit të tyre dhe për këtë mundohet të kontrollojë në një mënyrë pothuajse obsesive çdo zgjedhje të tyre, nën shprehjen “unë i di të gjitha”. Përfshihen në jetën e tyre (me merakun e justifikuar sigurisht) duke diktuar se çfarë është e drejtë e çfarë jo, duke mos i lënë djalit apo vajzës të drejtën për të krijuar dhe ata përvojat e tyre në jetë. E duke qenë se janë kaq meraklie ndaj fëmijëve të tyre, shpesh harrojnë se përveçse mama super të përkushtuara ato janë edhe femra.

Një nënë këmbëngulëse, në fakt, refuzon të dështojë e të mposhtet kur është në lojë mirëqenia e fëmijëve. Kur kjo gjë predominon te një grua dhe, nëse ajo nuk ia del ta menaxhojë këtë situatë, mund të bjerë në depresion kur fëmijët të largohen nga shtëpia (sindroma “çerdhja bosh”) dhe ajo ndihet e padobishme. Kjo lloj femre preferon të ushtrojë përkujdesjet e saj dhe të kalojë në posesivitet. Zakonisht ushtron një kontroll të tepruar te fëmija dhe prodhon rreth e qark vetes pasiguri dhe boshllëk. Për t’u zhvilluar, kjo lloj nëne duhet ta lërë fëmijën të largohet e të rritet.

Një nënë e kuptueshme dhe jo posesive “krijon” meshkuj të sigurt në moshën madhore. Të jesh nënë në ditët e sotme është më e koklavitur se në të kaluarën kur “profesioni” kryesor i shumë femrave ushtrohej brenda mureve të shtëpisë duke u përkujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë.

Gjërat kanë ndryshuar dhe nënat e sotme janë të zëna në shumë fusha, ku u duhet të sinkronizojnë kohën, aktivitetet, hapësirat personale, familjare dhe profesionale. Megjithatë, te çdo grua mund të shohësh lloje të ndryshme nënash. Është edhe personaliteti i saj, historia, roli i partnerit që nxjerrin në pah një tendencë më shumë se një tjetër. Ndodh që një nënë të jetë posesive, e dashur, protektive etj… Ajo që studiuesit e shumtë kanë nxjerrë në pah në studimet e bëra prej shumë vitesh është se një nënë e kuptueshme “prodhon” djem të mbushur vetëbesim…

1) Nëna e dashur është ajo që e admiron djalin e saj dhe tek i cili projekton mashkullin e saj ideal. Ky admirim vazhdon të burojë një forcë të madhe, e aftë të gjenerojë te fëmija një siguri të madhe te vetja, e cila do ta lejojë të përballet me sfidat e jetës. Kështu, në moshë madhore, djali do të kërkojë një partnere jete, të aftë që të marrë vendin e së ëmës, të cilën ai do të vijojë ta admirojë. Fatkeqësisht, nevoja e tij shpesh do të frustrohet (duke mos gjetur mamanë te partnerja) duke kaluar, i pakënaqur, nga një marrëdhënie në tjetrën.

2) Nëna hiperprotektive është ajo që mundohet të zgjasë sa më shumë të jetë e mundur marrëdhënien me të birin, edhe me qëllimin e vetëm që të zmadhojë situatat apo të shpikë rreziqe si materiale ashtu dhe afektive, ose të përballet vazhdimisht me të, duke i mbytur me përkujdesje. Kjo sjellje ka vetëm një rezultat: djali rritet në ankth, ndihet më lehtë në faj dhe ka vështirësi të largohet nga marrëdhëniet afektive.

3) Nëna e distancuar është ajo që jeton me frikën se mos gabon dhe e bën fëmijën të ndihet në faj. Derisa ai të deshifrojë pasigurinë e fshehur në sjelljen e shkëputur të nënës së tij, do të ndihet se nuk e duan dhe në moshë madhore mund të ketë një vizion cinik për dashurinë, për seksualitetin dhe do të rikrijojë në marrëdhënien me partneren të njëjtën distancë që ka jetuar me nënën e tij.

4) Nëna “tredhëse”, e vetëdijshme ose jo, është në luftë me meshkujt dhe do t’i mbajë nën kontroll. Dominante, autoritare, pretendon që çdo gjë të ecë sipas urdhrave dhe dëshirave të saj. Në çdo moment i kujton djalit se është ajo që vendos për gjithçka dhe se ka gjithmonë të drejtë. Kur bëhen burra, djemtë e këtyre nënave kanë tendencën të krijojnë në të ardhmen të njëjtën marrëdhënie dominuese-dominues me partneren e tyre. Kur ndihen të sulmuar në mashkulloritetin e tyre nga partnerja mund të bëhen të dhunshëm, verbalisht e fizikisht, duke u hakmarrë kështu për të gjitha përbuzjet që kanë pësuar nga e ëma.

5) Nëna e kuptueshme është para së gjithash një nënë e lumtur, që nuk projekton te djali i saj as pritshmëri të mëdha, as ideale të paarritshme. Është e kujdesshme ndaj nevojave të fëmijës, nuk është në ankth, as në kërkim të një shpërblimi narcizist. Plaket duke menduar për mirëqenien e familjes dhe burimet e saj të kënaqësisë janë të shumta. Fëmija nuk është arsyeja e saj e vetme e ekzistencës. Di të dëgjojë fëmijën e saj, di të jetë bashkëpunuese, asnjëherë e bezdisshme dhe as posesive. E adhuron dhe dashuron fëmijën e saj, pa e ndaluar të dashurojë femra të tjera të ndryshme nga ajo. Kjo nënë është ajo që “krijon” meshkuj të sigurt për veten, të cilët ndihen mirë me mashkulloritetin e tyre dhe komod me seksin tjetër. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu