Banorët e Laknasit kanë dalë sërish në protestë këtë të dielë kundër ndërtimit të thertores në zonën e pyllit të njohur si Plepat e Brukës. Ata shprehen se ky pyll është ajri dhe oksigjeni i tyre dhe për fëmijët e tyre janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë.
Një zonë prej 1.2 hektarë pyll dhënë një kompanie private për ndërtim është bërë shkas që banorët e zonës tek “Plepat e Brukës” të dalin sërish në protestë këtë të dielë.
Kjo çështje ka përfunduar deri në dyert e gjykatave dhe ata shprehen të gatshëm ta çojnë kauzën deri në fund.
“Në gjyqin e parë fituam dhe ata e hodhën në apel dhe nëse nuk fitojmë, do ta mbrojmë vetë.”
Avokati i kësaj çështje shprehet se procesi i ndjekur nga ana e Bashkisë konsiston në probleme me dokumentacionin.
“Bashkia Kamëz ka regjistruar si zallishte një sipërfaqe pylli. Largësia nuk i respekton rregullat për të dhënë leje ndërtime.”
Banorët akuzojnë se në zonën e gjelbërt do të ndërtohet thertore që konsiderohet një rrezik për ta dhe fëmijët e tyre.
“Këtu nuk lejohet. Unë për fëmijët e mi do të bëj çfarë të jetë.”
Ata shprehen se bashkia e ka regjistruar këtë zonë rreth 1 vit e gjysmë më parë në mënyrë që ti hapte rrugë lejeve të ndërtimit.
Protestës iu bashkuan dhe të vegjlit, mesazhi I të cilëve shkon drejt autoriteteve.
“Ne nuk i lejojmë se ky vend është ajri jonë dhe ne nuk kemi se ku të shkojmë tjetër.”