Policia e Beratit ka konstatuar të kultivuara në një zonë të pyllëzuar midis fshatrave Gjoroven dhe Veleshnje disa fidanë kanabis.
Dhe pas nje aksioni ne këtë zonë janë vënë në pranga autori i dyshuar si dhe është proçeduar në gjendje të lirë inxhinieri i pyjeve, dhe është shpallur në kërkim kryeplaku i fshatit.
Ja njoftimi i policisë:
Berat
Evidentohet dhe goditet një tjetër tentativë për kultivim të bimëve narkotike.
Vihet në pranga autori i dyshuar, proçedohet në gjendje të lirë inxhinieri i pyjeve, si dhe shpallet në kërkim kryeplaku i fshatit
Shërbimet e Policisë Berat, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në një zonë të pyllëzuar midis fshatrave Gjoroven dhe Veleshnje disa fidanë kanabis
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat, arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasin R.V., 45 vjeç, banues në Gjoroven.
Gjithashtu u proçedua në gjendje të lirë shtetasi K.B., 31 vjeç, banues në Uznovë me detyrë inxhinier pyjesh për veprën penale ” Shpërdorim detyre” dhe u shpall në kërkim kryeplaku i fshatit, shtetasi I.Sh., 33 vjeç, banues në Gjoroven për veprën penale ” Mos kallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprime të mëtejshme.