Sipas një studimi të fundit njerëzit e ndryshojnë karrierën mesatarisht gjatë jetës së tyre pesë deri në shtatë herë.
Megjithatë nuk ka një përcaktim të saktë për ndryshimin e karrierës. A është të punosh sërish në të njëjtën fushë por në një nivel më të lartë ndryshim karriere? A është ndryshim karrierë nëse nga një drejtor ju bëheni pronar i biznesit në të cilin keni punuar?
Pavarësisht sesa e madhe apo e vogël është dëshira juaj për të ndryshuar karrierë, më poshtë do të njiheni me disa prej gabimeve më të shpeshta që njerëzit bëjnë apo mendojnë në këtë drejtim.
S’mund të bëni gabime
Libra të shumtë janë shkruar dhe studime të shumta janë bërë në lidhje me ndryshimet e karrierës që i ndodhin njerëzve gjatë jetës së tyre. Megjithatë edhe ndryshimi i karrierës ashtu si edhe çdo ndryshim është një eksperiencë shumë personale, sepse çfarë mund të duket e vështirë për dikë nuk mund të jetë për dikë tjetër. Paralelisht me punën që mund të bëni dhe gjithmonë nëse keni mundësi si kohore ashtu edhe financiare ju mund të hapni edhe një biznes tuajin privat, që në rast se nuk ndiheni mirë në punën ku jeni aktualisht, ta lini atë dhe të punoni me kohë të plotë në biznesin që keni.
Mos u çudisni, të lexuarit dhe të studiuarit në vazhdimësi nuk del kurrë nga moda
Nëse do të lexoni artikuj të ndryshëm, do të bëni teste të ndryshme personaliteti, ju do ta kuptoni nëse ndiheni mirë në punë që keni aktualisht apo ka ardhur momenti i duhur për të bërë një ndryshim në karrierën tuaj. Pjesa më e madhe prej nesh reagon ndaj realitetit në bazë të disa besimeve që kemi krijuar me kalimin e kohës dhe që fatkeqësisht mund të rezultojnë të jenë të gabuara. Disa prej këtyre gabimeve më të shpeshta janë: unë nuk mund ta bëja një punë të tillë, nuk kam moshën e duhur, nuk kam mundësi financiare, etj.
Një tjetër situatë është ajo që ju nuk e keni fare idenë të mundësive që ekzistojnë jashtë katër mureve të zyrës suaj. Prandaj këshillohet që të lexoni, të studioni dhe të kërkoni deri në momentin që ju të ndiheni mirë dhe të realizuar në punën që bëni.
Duhet të keni gjithçka të planifikuar, deri në detajin më të vogël
Ka nga ata punonjës që kur “i ka ardhur në majë të hundës” punë në të cilën janë aktualisht, ata bëjnë thjesht disa kërkime tregu të vendeve vakante ku ata mund të punonin, gjejnë mundësinë që për ta është më e mira dhe bëjnë ndryshimin, pa e menduar gjatë.
Por ka edhe nga ata të cilët pa e menduar edhe detajin më të vogël, zor se janë të gatshëm që të ndryshojnë karrierë, duke menduar për rreziqet e mundshme që mund t’i kanoseshin.
Të ndryshosh karrierë është vetëm për të pasurit
Nëse ju nuk e pëlqeni punën ku jeni aktualisht dhe mbi të gjitha nuk keni një pagesë të mirë, atëherë ju duhet të largoheni nga aty drejt një karriere tjetër duke vrapuar dhe jo duke ecur. Në të kundërt ju vetëm sesa do ta përkeqësonit gjendjen tuaj edhe më shumë. Në ditët e sotme dhe me morinë e informacionit që na jepet ndryshimi i karrierës apo krijimi i mundësive të reja është i aksesueshëm për këdo që dëshiron, prandaj hiqni dorë nga perceptimi i gabuar, që vetëm të pasur kanë mundësinë për të ndryshuar karrierë.
Ju duhet një diplomë për të ndryshuar karrierë
Kjo është mëse e vërtetë, pa diplomë ju nuk keni ku të shkoni. Edhe nëse arrini të ndryshoni punë dhe të shkoni në një sektor tjetër apo kompani tjetër, ju duhet që të kryeni patjetër specializimin në atë fushë në të cilën po punoni.
Duhet të jeni “gjeni” që të bëni zgjedhjen e duhur
Ky është një prej perceptimeve më të gabuara: “Duhet të jeni gjeni që të bëni zgjedhjen e duhur”. Nëse kjo do të ishte e vërtetë askush nuk do të ishte i suksesshëm dhe nuk do të bënte zgjedhjen e duhur. Sigurisht që zgjuarsia është një plus shumë i madh por jo domosdoshmërisht duhet zgjuarsia e një gjeniu, jo vetëm për të qenë i suksesshëm por edhe për të ndryshuar karrierë.
Po sikur ndryshimi i karrierës të jetë vendimi më i keq që mund të merrnit?
Mos u frikësoni. Edhe në rast se ndryshimi juaj i karrierës të mos rezultojë ai që ju shpresuat, ju gjithsesi mund të përdorni të gjitha aftësitë që ju keni fituar gjatë viteve për t’i përdorur ato në të mirën tuaj. Mund të përballeni me vështirësi, të papritura të cilat nuk i kishit menduar në momentin që e morët vendimin për të ndryshuar karrierën tuaj, por nëse rrini në vend dhe të paktën nuk përpiqeni për të ndryshuar, të jeni të sigurt se do të humbisni më shumë.