Vetëm një ditë para rifillimit të kampionatit dhe ndeshjes Bylis-Tirana, e programuar për t’u luajtur të mërkurën në orën 17:00, një lojtar i klubit nga Mallakastra ka dalë pozitiv me koronavirus.
Lojtari i prekur me koronavirus, Eridon Qardaku, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Edicionin e Lajmeve në Top Channel është shprehur se ndihet shumë mirë nga ana shëndetësore dhe nuk ka asnjë lloj shqetësimi.
“Ndihem shumë mirë, përveçse kam dal pozitiv sipas testit unë nga ana shëndetësore jam shumë mirë, jam në gjendje normale, jam munduar të stërvitem në kushte shtëpie. Madje, momentalisht po mendoja të nisja një seancë stërvitore, kaq mirë ndihem. Nuk kam asnjë lloj shqetësimi, simptoma kam pasur vetëm një temperaturë shumë të lehtë. Testin e kam bërë më tepër për siguri, për momentin ndihem shumë mirë, tani të ja lejmë kohës”, shprehet Qardaku.
Më tej ai shton: Unë do doja të kisha bërë edhe një test tjetër sepse nuk jam shumë i sigurt për testin e parë, sepse siç e dimë ka pasur edhe raste të tjera që testi i dytë ka dal negativ.
I pyetur nëse ka pasur kontakte me shokë të skuadrës ai thotë:
“Jo. Kam udhëtuar një javë më parë sepse kam pasur një dëmtim në kaviljen e djathtë dhe kam ardhur që të bëj rikuperimin në shtëpi dhe dje duke udhëtuar drejt Ballshit, sapo kam mbërritur kam ndjerë si shqetësim një temperaturë shumë të lehtë dhe shumë pak ethe. Kam pasur pak ftohtë natën dhe ja lash asaj. Dhe për siguri, edhe presidenti u tregua i gatshëm, e kapi situatën në kohë, bëra tamponin prita përgjigjen dhe dola pozitiv dhe nuk kështu nuk pata kontakt me asnjërin sepse presidenti e kapi në kohë”.
I pyetur se nga dyshon se mund të jetë prekur me Covid-19 ai shprehet se nuk e di se ku mund ta ketë marrë pasi ka respektuar me përpikmëri çdo rregull.
“Kjo është arsyeja se pse ju thash më parë do kisha dashur të bëja një test tjetër, sepse unë gjatë karantinës kam qenë shumë i rregullt, edhe në shtëpi kam ndenjtur dy javë pa asnjë kontakt të jashtëm, nuk e di se ku mund ta kem marrë”.