Ngujen Thi Fong dhe Fam Van Thin jetojnë në një shtëpi të vogël në Ngen, një qytet në provincën Ha Tin të Vietnamit.
Banesa e tyre ka një çati metalike të ndryshkurt, tulla të vjetruara, dhe një flamur vietnamez që valëvitet jashtë.
Familja nuk ka shumë të ardhura. Ata fitojnë 400 dollarë në muaj, të dy bashkë, dhe gjithë pasurinë që kishin ia dhanë vajzës për të shkuar në Britani për një jetë më të mirë.
Por udhëtimi përfundoi në tragjedi. Vajza e tyre, Fam Thi Tra Mai mendohet se është një prej 39 personave që kanë vdekur brenda kamionit frigorifer në Eseks.
Ajo u shkroi nga celulari prindërve të martën në darkë, sipas orës europiane, dhe u thoshte “Mama, të dua shumë ty dhe babain. Po vdes sepse nuk po marr dot frymë. Më vjen keq, mama.”
Ende nuk është konfirmura zyrtarisht që vajza është mes viktimave, por familja ka pak shpresa. Ata e ndiejnë nga mesazhi që vajza e tyre ka qenë duke vdekur kur e ka dërguar.
Babai i saj thotë se kjo ishte gjëja më e dhimbshme, ka humbur njeriun më të shtrenjtë të jetës. Ai thotë se po ta kishte ditur që rrugëtimi do të kishte qenë i tillë, nuk do ta kishte dërguar vajzën. Por trafikantët i kishin premtuar se ishte mënyrë e sigurt.