BSH: Tërmeti dhe pandemia ndikime negative në sistemin bankar, gjatë 2019 rënie të kredive me probleme

0
Gjigandi

Fatkeqësitë natyrore të njëpasnjëshme kanë dhënë efekte negative edhe në sistemin bankar në vend. Tërmeti i 29 nëntorit dhe më pas pandemia në këtë fillimviti i dhanë ekonomisë shqiptare një goditje të fortë në të gjithë zërat përbërës, në mes tyre edhe sistemit bankar, duke shtuar rrezikshmërinë nga kredidhënia.

Sipas Raporti të Mbikëqyrjes të publikuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë edhe pse kreditë më probleme kanë shënuar ulje në krahasim me vitet e mëparshme, gjatë 2019 edhe në muajt e parë të 2020 risqet nga ky zë janë shtuar dhe vazhdojnë të jenë shqetësues për ecurinë e bankave në vend.

Raporti tregon se rrezikshmëria më e madhe nga kredidhëniet dhe kthyerja e tyre në problematike për sistemin u shtua për shkak të mbylljes së ekonomisë për gati 3 muaj për shkak të Covid-19. “Zhvillimet në cilësinë e portofolit të kredisë si grupi kryesor i aktiveve të bankave që mbart rrezik kredie më të lartë do të vijojë të mbetet në vëmendjen mbikëqyrëse, pasi janë në nivel të lartë, veçanërisht në kushtet e ndikimeve të mundshme negative nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, si dhe nga masat bllokuese ekonomike që lidhen me pandeminë globale Covid-19 gjatë vitit 2020.

Ndërkohë, faktori i fshirjeve të kredive me probleme vlerësojmë se do të mbetet një nga kontributorët e rëndësishëm në ecurinë e treguesve të kredisë me probleme. Kjo e fundit pritet të japë ndikim veçanërisht pas ndryshimit rregullativ, i cili detyron bankat të fshijnë kreditë e klasifikuara të humbura për më shumë se 2 vjet, nga 3 vjet sipas rregullit të mëparshëm”, thuhet në raport. Sakaq edhe problematikat më të mëdha janë evidentuar në disa zëra që prej kohësh rezultojnë ekspozuese të rreziqeve kryesore, si: rreziku i kredisë, rreziku i likuiditetit, rreziku operacional, rreziku i normës së interesit, rreziku i kapitalit dhe përfitueshmërisë, atij reputacional dhe të pastrimit të parave e financimit të terrorizmit. Por jo vetëm, Këshilli i Mbikëqyrjes pranë BSH ka shuar edhe kontrollin mbi dokumentacionet, procedurat dhe kontrollet që aplikojnë bankat për kredidhëniet gjatë 2019.

Rënia e kredive me probleme

RonaTyra

Nga ana tjetër raporti i mbikëqyrjes tregon se pavarësisht goditjeve të forta që mori vendi, sistemi bankar ka ruajtur qëndrueshmërinë brenda parashikimeve të këshillit. Madje edhe pse gjatë këtyre muajve izolimi edhe sidomos gjatë rihapjes bankat kanë shtuar risqet dhe peshën mbi vete për të ndihmuar bizneset dhe familjet me huadhënie, kreditë me probleme kanë pësuar rënie të ndjeshme. Madje të dhënat e publikuara në raport tregojnë se kreditë me probleme kanë shënuar rekord të rënies në krahasim 10 vjeçar si në 2019 edhe në këto muaj të parë të 2020. “Për herë të parë në 10 vitet e fundit, treguesi i kredive me probleme ra në nivel njëshifror, duke arritur 8,37% në fund të vitit 2019. Vlera e kredive me probleme arriti në 48.2 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 16,2 miliardë lekësh ose rreth 25,14%. Ndikimin në këtë rënie e ka dhënë fshirja e kredive, si dhe shlyerja e kredive të parregullta e kombinuar me ristrukturimet”, thuhet në raport.

Nga ana tjetër raporti tregon se, zhvillimet vjetore të portofolit të kredisë përmblidhen në një rënie vjetore prej 4,9 miliardë lekësh ose 0,9%. Për rrjedhojë, dinamika e treguesit të kredive me probleme nuk u mbështet nga ecuria e stokut të kredisë, i cili do të rezultonte me një rritje prej 11,3 miliardë lekësh ose rreth 2% në nivel vjetor, në mungesë të efektit të uljes së kredive me probleme. Gjatë vitit të kaluar u përmbyll procesi i transferimit të pronësisë për dy banka, përthithja e një banke si dhe vetëlikuidimi i një banke tjetër, si dhe heqja e licencës për shkelje të rregullores për dy institucione jobanka.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu