Njësoj si ushtrimet fizike që e mbajnë trupin në formë, ushtrimet mendore mund ta forcojnë mendjen duke e mbajtur të mprehtë kur bëhet fjalë për mendim e memorie. Memoria mund të fillojë të dobësohet me moshën, por zakonet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë që të jeni shumë më të mprehtë e kalimin e viteve.
Bisedat e thella
Bisedat e thjeshta janë pjesë e jetës së përditshme. Por, provoni ta thyeni këtë rutinë. Pavarësisht se jeni duke e takuar një person të ri apo jeni duke biseduar me një shok/shoqe që e njihni, flisni për tema më të thella. Ndani idetë se çfarë ju pëlqen, çfarë ju inspiron dhe dëgjoni edhe mendimet e bashkëbiseduesit.
Mësoni diçka të re
Synoni që vërtet të mësoni diçka të re çdo ditë. Mund të jetë diçka që gjithmonë keni qenë të interesuar apo diçka krejtësisht e re. Provoni të mësoni një instrument muzikor, të lexoni biografinë e dikujt apo të mësoni një gjuhë të re. Në fakt, hulumtimet tregojnë se mësimi i një gjuhe të re përmirëson funksionin ekzekutiv të trurit, i cili rrit aftësinë e planifikimit dhe zgjidhjes së problemeve.
Bëni pyetje
Pyetjet janë mënyra më e mirë për të mësuar. Hulumtimet tregojnë se jeni më të prirë të mbani mend diçka nëse vërtet dëshironi ta dini përgjigjen. Nëse nga natyra jeni kureshtar, pyetjet i bëni lehtë. Nëse nuk jeni mësuar të bëni pyetje, atëherë filloni me diçka më të përgjithshme pastaj kushtoni vëmendje se si zgjerohet mendja dhe ku mund të shkoni nga aty.
Mbajeni trupin të shëndetshëm
Nëse trupi është i ngadaltë dhe i pashëndetshëm, edhe mendja mund të vuajë nga pasojat. Mbajtja e trupit të shëndetshëm është e rëndësishme për të pasur mendje të mprehtë. Ushtrohuni rregullisht në palestër, dilni të vraponi apo bëni joga. Gjithashtu tregoni kujdes për mënyrën se si ushqeheni dhe mundohuni t’i merrni vlerat e nevojshme ushqyese përmes ushqimit.
Sfidojeni veten
Mbajeni trurin të mprehtë duke e sfiduar veten shpesh. Mbushni fjalëkryqe, zgjidhni sudokun apo ndonjë gjëegjëzë. Këto janë ushtrime të mira për ta mbajtur mendjen aktive dhe të mprehtë.
Lexoni
Hulumtimet tregojnë se leximi e rritë aktivitetin e trurit, madje edhe disa ditë pas leximit. Pavarësisht nëse preferoni shkenca fiktive, autobiografi, mistere apo novela, mundohuni që të lexoni rregullisht në mënyrë që të zgjeroni fjalorin, të forconi imagjinatën dhe ta mbani trurin aktiv.