Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndërmarrë disa masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit pas rritjes së infeksioneve përgjatë ditëve të fundit.
KMSH thotë se këto masa kufizuese në lidhje me jetën fetare në vend, kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të besimtarëve.
Ndër masat kufizuese përfshihet ndalimi i përdorimit të tualeteve i abdes haneve. Gjithashtu do të ndalohet edhe hyrja në xhami e të gjithë besimtarëve nën 12 vjeç dhe atyre mbi 65 vjeç.
Çdo besimtar duhet të ketë sexhaden e tij personale si dhe të mbajë distancën nga të tjerët.
“Të nderuar besimtarë e besimtare! Prej disa muajsh jemi në një situatë të pazakontë, e cila ka sjellë mjaft vështirësi dhe kufizime në jetën dhe përditshmërinë tonë.
Të vetëdijshëm që mbrojtja e shëndetit dhe jetës së çdo njeriu është detyrim parësor për të gjithë ne, që në fillimet e përhapjes së pandemisë COVID-19, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mori disa masa parandaluese dhe vendime kufizuese në lidhje me jetën fetare në vend.
Ditët e fundit vërehet një shtim i ndjeshëm në rastet e prekura me coronavirus, rritje e numrit të vdekjeve si pasojë e këtij virusi si dhe përhapje e kësaj sëmundjeje në të gjithë territorin e vendit.
Nisur nga kjo situatë, KMSH u ka kërkuar të gjithë myftijve, nëpërmjet një qarkoreje, zbatimin me rigorozotet të të gjitha masave të marra më herët për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Protokolli i masave:
• Dezinfektimi i xhamive para se të fillojë frekuentimi.
• Marrja e abdesit në shtëpi.
• Mbajtja e maskës dhe e dorezave.
• Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
• Mbajtja e distancës fizike gjatë ritualeve.
• Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
• Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami, si dhe personat me sëmundje kronike.
• Nuk lejohen në xhami grupmoshat nën 12 vjeç si dhe mosha mbi 65 vjeç.
• Ndalohet qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve si libra, Kur’anë, rafte, etj…
• Hytbeja e xhumasë të mos jetë më shumë se 10 minuta.
• Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.
Ngarkohen të gjitha myftinitë për zbatimin e këtyre masave.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në të gjitha masat e marra dhe në të gjithë hapat që do hidhen në vazhdimësi është konsultuar dhe konsultohet me organet kompetente të shëndetësisë, me synimin dhe qëllimin e vetëm të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së besimtarëve, sidomos të asaj pjese që janë më të rrezikuar nga kjo pandemi dhe që njëkohësisht janë edhe frekuentues të rregullt të xhamive, baballarët dhe gjyshërit tanë.
Falënderojmë të gjithë besimtarët që mirëkuptuan, bashkëpunuan dhe u solidarizuan si asnjëherë më parë në përballimin e kësaj situate”, thuhet në deklaratën e KMSH.