Qeveria kërkon të heqë nga qarkullimi qeset plastike, Klosi: Penalitete për ata që e përdorin pas qershorit 2020 | Lajmi i Fundit

0
Gjigandi

Qeveria synon qe deri në qershorin e vitit të ardhshëm të bëhet vendi i parë në Europë që nuk do të përdorë më plastikën. Kjo nisëm është bërë e ditur nga Ministri Blendi Klosi gjatë një takimi me drejtuesit e bashkive të qarkut të Elbasanit. Për të arritur këtë qëllim ai nënvizoi se do të bëhen ndryshime në ligj të cilat do të dekurajojnë përdorimin dhe prodhimin e plastikës

“1 qershori i vitit 2020 është një datë që ne do të tentojmë ta miratojmë në parlament nëpërmjet ndryshimit ligjor përkatës ku do të jetë dita që do ta gjejë Shqipërinë pa qese plastike. Do të penalizohen edhe ata që i përdorin këto qese plastike, jo vetëm ata që i prodhojnë. Pra na duhet një ndërgjegjësim i madh publik që përdorimi i qeseve të jetë vepër penale”, deklaroi ministri Klosi.
Nga ana tjetër drejtuesit e bashkive kërkuan subvencione nga qeveria për të mbuluar transportimin e mbetjeve urbane nga vendgrumbullimet drejt inceneratorit që është ndërtuar në Elbasan.
Në një takim tjetër në kryeqytet me akademikë, përfaqësues të biznesit dhe donatorë të huaj, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit tha se është i hapur ndaj sugjerimeve dhe kritikave për ndryshime që duhen bërë në kuadër të  të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian pasi Shqipëria duhet të ndërmarrë rreth 70 ndryshime ligjore në fushën e mjedisit.
“Jam gati të pranoj çdo kritikë dhe çdo koment për çfarëdo që bëjmë. Besoj që kemi bërë gjëra shumë të mira, por besoj që mund të bënim edhe shumë herë më mirë nga sa kemi bërë dhe mbase edhe ndonjë gjë e kemi bërë gabim. Ndaj të tre komunitetet janë të ftuar të jenë pjesë kritike e punës sonë për të shkuar në një Shqipëri europiane mjedisore. Besoj që ka ardhur koha që të themi mjaft më me strategji dhe me ide. Ne na duhen shumë që të jemi konkretë dhe nga strategjitë të kalojmë në plane veprimi, nga idetë të kalojmë në nisma konkrete”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu