Pse njerëzit jokompetentë duket se kanë më tepër vetëbesim

0
Gjigandi

Duke biseduar me dikë të njohur apo të panjohur, duke qenë dëshmitar rasti në një udhëtim me autobus apo në lift, duke përcjellë dikë në televizion apo në rrjete sociale, ballafaqohemi shpesh me persona që flasin shumë, kanë mendim për çdo gjë, kanë koment për çdo ngjarje; dhe duke mos mjaftuar se kanë mendim e koment për çfarëdo, mendojnë madje se mendimi e komenti i tyre është i saktë dhe më i vlefshëm se i tjetrit. Dhe, i tërë ky proces përfundon pashmangshëm me ngritje zëri (gjoja se kjo do ta jep vulën për saktësinë dhe drejtësinë e tyre) apo gjeste trupore ironike, përbuzëse dhe arrogante.

Temat për cilat këta njerëz kanë mendim e koment nuk kanë kufi – ata janë në gjendje të flasin prej gjërave të përditshme dhe të zakonshme e deri se koronavirusi është krijuar në laborator kinez, se moti i nxehtë do ta zhduk atë, se Kloppi gabon me këtë taktikë, se Gjykata Kushtetuese nuk është dashur të japë këtë apo atë vendim, se mbulesën e kokës duhet bërë kështu e jo ashtu, se pakoja e re fiskale ka këtë apo atë të metë, se fëmija duhet të edukohet në këtë apo atë mënyrë, apo se mësuesja është e paaftë ta menaxhojë fëmijën tim superinteligjent!

Dikush (sigurisht) më i specializuar dhe më i lexueshëm (knushëm) se ky grup ka harxhuar pak më tepër mund për t’i studiuar këta. Psikologët David Dunning dhe Justin Kruger, kanë publikuar më 1999 një studim shkencor me të cilin ka lindur në përdorimin shkencor i ashtuquajturi efekti Dunning-Kruger. Ky efekt nënkupton që këta njerëz kanë një iluzion superioriteti për veten duke menduar se janë më të mençur dhe më të mirë se sa që janë realisht. Mirëpo, ky iluzion buron nga paaftësia e tyre për ta kuptuar mangësinë e njohurive dhe të mundësive të tyre – pra, ata nuk dinë sa të pamençur apo të papërgatitur janë për një gjë të caktuar. Dhe kur nuk dinë, atëherë “mendojnë” se dinë!

Kombinimi i mosnjohjes së vlerave të veta të vërteta dhe i mbiçmimit të vlerave të veta të vërteta krijon një vetëvlerësim të shtrembëruar për veten. Kjo krijon rrjedhimisht vetëbesim te tepruar të pabazë, duke çuar në bërjen e gabimeve, gabime të cilat mbesin të pavërejtura nga vetë personi (ngase siç nuk kanë njohuri për aftësitë dhe inteligjencën reale të vetvetes, nuk kanë njohuri edhe për gabimet që i bëjnë). Gabimet e bëra do të çojnë pashmangshëm në moskorrigjimin e vetvetes dhe në gjykimin e gabuar të veprimeve, mendimeve dhe komenteve të tjetrit. Ky grup njerëzish jo që nuk di gjë apo nuk di mjaftueshëm, por është i pavetëdijshëm se nuk di gjë apo nuk di mjaftueshëm. Kjo dukuri quhet “injorim i injorancës”.

Interneti dhe lehtësia e qasjes në informata ka krijuar një terren për shumim personash të tillë. Secili që mund të lexojë për një temë të caktuar jo më shumë se dy tekste apo jo më gjatë se 10 minuta, mund ta shpall veten ekspert të fushës dhe ta vë në pikëpyetje tjetrin që punon me vite në atë fushë. Mundësia që i jepet gjithkujt të ketë një blog, të komentojë në çdo postim, të postojë video në YouTube krijon hapësirën për shprehje të lirë të mendimit dhe të komentit – i cili do të ishte në rregull po t’u përmbahej rregullave bazë të komunikimit.

RonaTyra

Injorimi i injorancës shkon proporcionalisht me egon – e ushqejnë njëra-tjetrën duke krijuar një ortek personaliteti “të gjithëdijshëm”. I tilli nuk do të jetë në gjendje që ta gjykojë veten nga pikëvështrimi personal i kufizuar dhe tejet subjektiv. Duke mos i ditur kufijtë e vërtetë të mundësive dhe njohurive të vetvetes, veten do ta konsiderojë goxha të aftë dhe superior.

“Njohuria e paktë është gjë e rrezikshme” – Alexander Pope
“Injoranca e ushqen më tepër vetëbesimin se sa që e bën njohuria” – Charles Darwin
“Njohuria e vërtetë është ta njohësh përmasën e injorancës së tjetrit” – Konfuçi
“Problemi i botës është se njerëzit inteligjentë janë me përplot dyshime, kurse budallenjtë janë me përplot vetëbesim” – Charles Bukowski
“Sa më shumë njohuri, aq më pak ego; sa më pak njohuri, aq më shumë ego” – Albert Einstein.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu