Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio i propozoi qeverisë shqiptare aktivizimin e një komisioni ekonomik të përbashkët mes dy vendeve për të bërë të mundur rritjen e investimeve dhe zgjidhjen e nevojave të sipërmarrësve italianë në Shqipëri dhe anasjelltas.
Gjatë ditës së sotme, Di Maio zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kreun e PD-së Lulëzim Basha ku bëri dhe propozimin ekonomik.
Ndër të tjera ai shprehu vlerësimin për të dy liderët politikë në arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore si dhe i ftoi ata që t’i përmbahen kësaj marrëveshje dhe miratimin në Kuvend përpara pushimeve verore.
Di Maio: Çështjet që ende duhen diskutuar janë të rëndësishme, por po kaq e rëndësishme është ruajtja e një fryme konstruktive si dhe të qenit të hapur për dialog. Miratimi i një ligji të ri zgjedhor konfirmon faktin se të dy palët mund të punojnë së bashku për arritjen e objektivave të përbashkëta.
Ministri e përgëzoi gjithashtu edhe për mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian “çka dëshmon për seriozitetin dhe vendosmërinë e palës shqiptare në rrugën e përafrimit drejt Evropës. Italia i ofron Shqipërisë mbështetjen e saj të plotë në rrugëtimin e saj drejt BE-së”.