Pompeo i kërkon botës të adresojë “provokimet bërthamore” të Iranit

0
Gjigandi

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se veprimet e Iranit bëjnë thirrje për të gjitha vendet që të kundërshtojnë “shantazhin bërthamor” dhe të ndërmarrin “hapa seriozë për të rritur presionin”.

Pompeo i bëri këto deklarata të enjten, në ditën kur Irani nisi të pasurojë uranium në centralin bërthamor Fordov.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta imagjinojë se si do të sillej Irani me armë bërthamore. Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë kurrë një gjë të tillë”, tha Pompeo, duke e akuzuar Iranin për “dhunë dhe terror” dhe për “minimin e sovranitetit të fqinjëve të tij”.

“Është koha tani që të gjitha vendet ta kundërshtojnë shantazhin bërthamor të regjimit dhe të ndërmarrin hapa seriozë për të rritur presionin. Provokimet e vazhdueshme bërthamore të Iranit kërkojnë veprime të tilla”, tha Pompeo.

RonaTyra

Me pasurimin e uraniumit në Fordov, Irani hoqi dorë edhe nga një pjesë e marrëveshjes bërthamore, të arritur në vitin 2015 me fuqitë botërore.

Irani, në fakt, ka nisur të tërhiqet nga angazhimet e parapara me këtë marrëveshje prejse Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga ky pakt, më shumë se një vit më parë.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, shkroi në Twitter se “falë politikës së SHBA-së dhe aleatëve të saj, Fordov do të jetë së shpejti në funksion të plotë”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se vendi i tij po i përgjigjet “terrorizmit ekonomik dhe shantazhit amerikan”.

SHBA-ja, prejse është tërhequr nga marrëveshja bërthamore në maj të vitit të kaluar, ka vënë sanksione të ashpra ekonomike kundër Iranit.

Irani, me marrëveshjen bërthamore, ka rënë dakord që të zvogëlojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve kundër tij.

Nënshkrueset e tjera të marrëveshjes – Franca, Britania, Gjermania, Kina dhe Rusia – kanë bërë thirrje për ruajtjen e marrëveshjes. Zyrtarët iranianë thonë se palët e mbetura në marrëveshje nuk kanë arritur t’i lehtësojnë efektet e sanksioneve të SHBA-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu