Rrugëtimi i futbollit të Kosovës deri në anëtarësimin në UEFA e FIFA ishte i gjatë dhe aspak i lehtë. Pas përfundimit të luftës askush nuk e kishte menduar që do të kalonin 16 vjet tjera nën izolim total të futbollit kosovar. Madje, as shpallja e Pavarësisë në vitin 2008 dhe njohja nga mbi 100 vendet më të rëndësishme të botës nuk e lehtësoi aspak procesin e ndërkombëtarizimit të futbollit. Megjithatë, përpjekjet për ta thyer këtë izolim nga drejtuesit e futbollit në Kosovë ishin të shumta që nga ditët e para të mëvetësimit, kur kryetari i parë ishte Agim Bytyçi.
Nën udhëheqjen e tij shkuan shumë letra e shkresa në UEFA e FIFA për t’i informuar për shkëputjen e futbollit të Kosovës nga sistemi jugosllav. Thyerja e izolimit u tentua prapë edhe nën udhëheqjen e Rexhep Abdullahut, derisa në kohën kur FFK drejtohej nga Sabri Hashani, njeriu që u takua fizikisht për herë të parë me presidentin e FIFA-s, Sep Blatter ishte nënkryetari i atëhershëm dhe presidenti i tanishëm, Agim Ademi, i cili vazhdoj përpjekjet për të realizuar ëndrrën edhe nën udhëheqjen e legjendës, Fadil Vokrri.
Para këtij takimi, një i tillë por jozyrtar kishte ndodhur edhe në Suedi, në shtëpinë e presidentit të atëhershëm të UEFA-s, Lennart Johanson, që tregoi simpati për futbollin e Kosovës.
Tani kur jemi në prag të shënimit të 4-vjetorit të anëtarësimit në UEFA, nëpërmjet disa fotove të siguruara nga “Futbolli.info” do të paraqesim angazhimin e madh të presidentit të tanishëm të FFK-së, Agim Ademi që nga viti 2002 për t’u bërë pjesë e barabartë me shtetet tjera anëtare të UEFA-s, gjë e cila dëshmon përkushtimin dhe angazhimin e tij të madh që nga ditët e para në shtëpinë e futbollit kosovar. Në foton e parë është pikërisht z.Ademi, i cili në asamblenë e FSHF-së ka mbajtur fjalimin e parë për çështjen e futbollit të Kosovës para presidentit të FIFA-s, Sep Blatter dhe Michel Platinit, si përfaqësues i UEFA-s, i cili më pas në vitin 2007 mori postin e presidentit. Ishte hera e parë që dikush nga Kosova ia tregoi nga afër dhe sy me sy dy njerëzve më të rëndësishëm të futbollit në atë kohë historikun e futbollit të Kosovës, që nga periudha e lavdishme e Trepçës dhe Prishtinës në ish-ligën federative, e për të vazhduar në periudhën e mbijetesës dhe sakrificës nën okupimin serb në fusha të improvizuara. Pra, ishte pikërisht Agim Ademi, ai, i cili shfrytëzoi miqësinë e hershme me FSHF-në dhe me presidentin e atëhershëm, Miça Papadhopulli dhe sekretarin e përgjithshëm, Sulejman Starova, i cili u angazhua personalisht për realizimin e këtyre takimeve dhe për t’ia përcjellë atyre çdo dokument të FFK-së, si dhe për t’ia dhënë mundësinë z. Ademi që të shfaqet në foltore dhe t’ua dëshmojë krerëve të UEFA-s e FIFA-s se Kosova ekziston, ka potencial dhe e meriton të jetë pjesë e këtyre dy institucioneve. Ndërkohë, përveç fjalimit në ansamble, z. Ademi në fund ia kishte dorëzuar presidentit Blatter edhe dosjen e përgatitur të FFK-së për të qenë pjesë e FIFA-s.
Miqësia e Ademit me FSHF-në vazhdoi edhe në periudhën kur drejtimin e saj e mori Armand Duka, i cili po ashtu dha kontribut të madh, duke e ndihmuar presidentin Fadil Vokrri në shumë raste për thyerjen e izolimit, i cili përfundimisht ndodhi në Kongresin e Budapestit më 3 maj të vitit 2016, pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të krerëve të FFK-së në etapa të ndryshme e që kulmoi suksesshëm nën udhëheqjen e legjendës, Fadil Vokrri.