Pastori publikon ditarin e Anisa Josifit shkruar 14 vite më parë: Copëza jete shpirti të derdhura në letër, kurrë nuk e mendoja…

0
Gjigandi

Tragjedia në familjen Josifi në Kombinat vijon të krijojë panik në mbarë opinionin pulik, teksa ditë pas dite dalin në dritë detaje shokuese.

Së fundi, pastori Akil Pano ka publikuar në ‘Facebook’ disa shënime rrëqethëse nga ditari i Anisa Josifit, e cila u gjet e vetëvrarë në banesën e saj, së bashku me të ëmën, Zhaneta, pasi besonin te ringjallja.

Në mesazhin e tij, pastori Pano shkruan se nuk e kishte menduar kurrë që dikush do të ruante shënimet mbi predikimet e tij për një kohë kaq të gjatë, 14 vjet.

“Vetëvrasja është atentat ndaj jetës, ndërsa dhunshëm shpërfill shenjtërinë e saj. Është keqkuptim i përmasave reale të njeriut i cili nuk është sovrani i jetës e as pronari i mundshëm i saj”, shkruan mes të tjerash Pano.

RonaTyra

Mesazhi i pastorit:

Shënime nga ditari i një bije të vetëvrarë që tronditën shpirtin tim.

Nuk e kisha menduar kurrë që dikush do të ruante shënimet mbi predikimet e mia për një kohë kaq të gjatë, 14 vjet. Dikush që nuk kujtoj ta kem takuar ndonjëherë, as unë e as njerëzit me të cilët punoj. Por takimi i mbrëmshëm me shënimet e ditarit që u gjend në apartamentin prej nga ende vijon të flasë dhimbja e tragjedisë, ishte më i gjallë se çmund të kish qenë një takim real në këtë botë materiale. Profesionalizmi i gazetarit, a nevoja për të marr vëmendje portalesh, prej titujsh të ngjizur për pak më shumë vëmendje e ca më shumë klikime, trazuan tek unë përzjerje përjetimesh që natyrshëm ndodhin në botën e shpirtit.

Trishtim, dhimbje, përgjegjësi. Përmasa jo të lehta kur nocionet me gravitet të rëndë qëndrojnë bashkë.
Trishtim, pasi deri aty dhe unë njëlloj si të gjithë ju, nuk kisha bërë asgjë për të ndihmuar, kuruar, ndryshuar, apo ndërprerë fitilin i cili krijonte linjën e lidhjes historike të traumës brenda familjes. Një baba i vetëvrarë, kronikë që paralajmëronte mundësi skenari të ngjashëm pafuqie. Askush nuk pa fillin e ndezur të tragjedisë së re që nga çasti në çast mund të ndodhte. Bija të ngujuara mes muresh të ngushta izolimi e vetmie. Trishtim për pafuqinë tonë kolektive. Të afërm që akuzojnë trushplarjen, komshinj që fajësojnë derëmbylljen, religjon që distancohet prej falsitetit doktrinor të kulteve të rrezikshme, e natyrisht politikanë që cilësojnë apatinë e institucioneve të vonuara në veprim. Trishtim, pasi të gjithë jemi në vonesë.

Dhimbje, pasi jeta e ndërprerë prej vullnetit njerëzor dhemb. Vetëvrasja nuk ka e s’mund të gjejë elemente burimore në fe, pasi feja në esencë është besimi i palëkundur në shenjtërinë e jetës.

Vetëvrasja është atentat ndaj jetës, ndërsa dhunshëm shpërfill shenjtërinë e saj. Është keqkuptim i përmasave reale të njeriut i cili nuk është sovrani i jetës e as pronari i mundshëm i saj. Administratorë llogaridhënës për jetën, është çka realisht jemi. Diku, dikur në të ardhmen jo të largët njeriu do të përgjigjet përpara autoritetit më të lartë të universit për pasurinë më të madhe që i është besuar në administrim. Dhimbje, pasi ndërprerja në rastin e vetëvrasjes është dështim qëllimesh, nderprerje ëndrrash, shpunësim veprimesh që në potencë do të ishin prokrijim, pasardhje, shumëfishim. Përkundrejt këtyre shihet si fatalitet. Por tragjedia kërkon me forcë ndërprerje, kthim pas, devijim nga shtegu i jetës. Çdo jetë e ndërprerë nga shkaqe ‘të spjegueshme’ dhemb, por atë çka gjejmë të vështirë të spjegojmë dhemb pafundësisht më shumë.

Përgjegjësi. Më shumë së kurrë ndjeva çka në mënyrë të përsëritur përjetoj, pothuaj çdo të Diel herët në mëngjes për më shumë se një çerek shekulli. Një peshë jo të lehtë përgjegjësie përjetoj çdo herë që mendoj se do të kem njerëz përballë dhe do t’ju drejtohem. Çdo fjalë mbart peshën e një strukture mendimi, çdo fjali një kontekst. Përgjegjësia për të përçuar fjalë jete është e paagjinueshme. Por mbrëmë, këtë peshë e përjetova në dimensionin e një jete të munguar mes humanëve. Një jete për të cilën nuk kisha rreshtur së foluri gjatë ditëve të fundit, tre a katër herë në ditë në emisionet qëndrore të televizioneve në vend. Filli i tragjedisë në potencë tek njerëz të cilët prej traumave, padijes a zhgënjimit, mungesës së shpresës a manipulimit në fushëbetejën e mendimeve, është një fill që duhet këputur. Viti 2018 shënoi 183 vetëvrasje në Shqipëri, numër ky tre herë më i lartë nga ai i vrasjeve. Me sa dimë asnjë prej rasteve nuk lidhet me fenë, dhimbja e ndërprerjes së jetës prej vullnetit njerëzor është e madhe.

Shumë u thanë mbrëmë mbi tragjedinë e familjes Josifi, e në shumë dimensione u diskutua fenomeni. Vetëvrasja, traumat e së shkuarës, pikëlidhjet e mundëshme me bazë fetare etj. Prisja të dilja nga studio e të merrja nga gazetari investigativ fotokopien e faqes nga ditari i vajzës së vetëvrarë që shënonte datën 20 Gusht 2006. Aty ndodheshin shënimet mbi ligjëratën time të 14 viteve më parë. Çfarë kisha thënë mbi njërën prej temave të mia të parapëlqyera, ‘Pandryshueshmëria e Zotit!?’ Mora letrën dhe nisa të shoh nën dritën e telefonit. Fjalët lexohen pa vështirësi. Mesazhi është i qartë megjithëse me shkurtime. Fjalë jete, shprese dhe dashurie mbi letër. Dy ditë më parë kisha thënë në një televizion për familjen se, ato s’duhet të jenë të huaja për ne, përkundrazi. Kjo familje është e përbërë nga njerëzit tanë. Njëlloj si i afërmi im Musliman, Hebre, i Krishterë, apo ateist, vajzat dhe nëna janë të afërmit tanë. Flisja e mendoja se vërtetë do të kisha dashur t’i njihja e takoja në kohë. Mbase do të kisha mundur të bëja diçka. Por mesazhi im i kishte takuar 14 vjet më parë. Copëza jete shpirti të derdhura në letër, shënime nga një predikim që mesa duket mbeti vetëm në ditar, e nuk u lejua të prekë vullnetin njerëzor për mosdorëheqje nga jeta.

Ndërsa mbaja letrën në dorë e shihja shënimet e vajzave mbi predkimin tim të 14 viteve më parë, kuptova që pergjegjesia individuale e kolektive për të shpallur e mbrojtur jetën është më e nevojshme se kurrë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu