Kompania që jepte shtëpi me qira për mbajtjen e ndejave të ndryshme, Airbnb, ka njoftuar se nuk do ta ofrojë më këtë shërbim pas sulmit masiv në një shtëpi të lëshuar me qira në Kaliforni, ku u vranë pesë persona.
Shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Brian Chesky, njoftoi përmes një postimi në Twitter se do të marrë masa për t’i luftuar ndejat e paautorizuara dhe t’i ndalojë tubimet me mysafirë të ftuar përmes keqpërdorimeve.
“Ne duhet të bëjmë më mirë në këtë drejtim dhe ne do ta bëjmë. Kjo është e papranueshme”, tha Chesky.
Në sulmin që ndodhi në qytetin Orinda, afër San Franciskos, tre njerëz vdiqën menjëherë në shtëpinë ku po mbahej ndeja, ndërsa dy të tjerë humbën jetën më vonë në spital.
Shtëpia fillimisht ishte rezervuar me arsyetimin se aty do të mbahet një ndejë me një grup të vogël njerëzish, por më vonë u reklamua në Instagram si vend për ndejë të Halloween-it, ku u tubuan më shumë se 100 njerëz.
Të gjitha viktimat e këtij sulmi ishin të rinj nën moshën 30-vjeçare. Policia ende nuk e ka arrestuar asnjë person të dyshuar për sulmin, por në vendin e ngjarjes i ka gjetur dy pushkë.
Për sulmin masiv ka reaguar edhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili i bëri thirrje Kongresit që ta miratojë legjislacionin për kontrollin e armëve, shkruan “BBC”.