Rihapja e vendit dhe lehtësimi i masave kufizuese që u ndërmorën për shkak të Covid-19, solli një numër të lartë rastesh dhe viktimash nga ky virus.
Për epidemiologun Taulant Muka, situata është alarmante dhe kjo për faj të keqmenaxhimit nag politika.
Në një lidhje përmes Skype për ”RTV Ora”, Muka tha se numri i të infektuarve është më i lartë se ai real, pasi janë kryer shumë pak testime.
Taulant Muka: ”Situata është alarmante. E kam parashikuar që në momentin kur u hap jeta ekonomike dhe sociale në vend. Kjo në rradhë për shkak të keqmenaxhimit të politikës. Ju shikoni kryetarin e bashkisë së Tiranës i cili vazhdon të mbledhë turma njerëzish, dhe e ka bërë këtë gjatë gjithë kohës. Ndërkohë, politikanët kur dalin në media promovojnë të respektohet distancimi fizik. Besoj që nëse sot shohim 90 raste, duhet të kemi parasysh që janë shumë pak teste që bëhen, numri i të infektuarve është ende shumë më i lartë se ajo që ne shohim si numra zyrtarë. Besoj se sot nga ana epidemiolojgike duhet të ketë një hap prapa në mënyrë që ë mos përjetojmë Bergamon në javët në vazhdim.”
Sipas tij, para ka për të blerë më shumë teste për Covid-19, por ka një papërgjegjshmëri, pasi paratë shkojnë për investime të tjera, si ai i RTSH-së për Champions League.
Taulant Muka: ”Mesa duket paraja është justifikimi për shkak se unë shoh çdo ditë në media trumpetohen investime të mëdha me miliona euro. RTSH blen 1.8 milion euro liçencën e Champions League. Mesa duket paraja nuk është problem, besoj papërgjegjshmëri. Ndoshta është edhe një qasje e qeverisë për të bërë një infektim masiv të popullatës, pasi kjo do t’i interesonte nga ana politike. Faktikisht unë nuk e kam dëgjuar ende sot kryeministrin të flasë për situatën. Ministrja vazhdion të trumpetojë përdorimin e maskave dhe distancimin fizik, që dihen. Përdorimi i maskave për ekonominë shqiptare është shumë i vështirë.”