Një ndeshje e Premier Leagues së Bjellorusisë dhe një tjetër e kategorisë së dytë janë shtyrë pas dyshimeve për raste me koronavirus, ka njoftuar federata bjelloruse të hënën.
Bjellorusia ishte i vetmi vend në Evropë që ka luajtur futboll gjatë pandemisë. Por në Bjellorusi kanë 24 mijë raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa janë raportuar mbi 130 të vdekur.
Federata bjelloruse ka thënë se ndeshja në mes të FC Minsk dhe Neman Grodno, që është dashur të luhet më 15 maj, është shtyrë pas dyshimeve për raste me koronavirus në mesin e lojtarëve të skuadrës vendase.
Ndeshja e kategorisë së parë në mes të Arsenal Dzerzhinsk dhe liderit Lokomotiv Gomel, është dashur të luhet më 16 maj. Ajo është shtyrë pasi ka dyshime për të prekur me Covid – 19 te Lokomotiv Gomel.
Nuk janë publikuar datat e reja për ndeshje.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, që mban këtë pozitë prej vitit 1994, ka qenë skeptik për atë nëse duhet të forcohen masat për të luftuar përhapjen e koronavirusit.
Ai e ka vlerësuar frikën nga virusi si “psikozë” dhe ka sugjeruar disa herë që të pihet “vodka”, të vizitohen saunat dhe të luhet hokej në akull për të mposhtur virusin.
Të shtunën mijëra ushtarë kanë marshuar në Bjellorusi për të festuar fitoren në Luftën e Dytë Botërore.