Miqësia, kur koha dhe largësia nuk llogariten

0
Gjigandi

Sa herë e kemi dëgjuar shprehjen: “Ai është miku im!”, një shprehje e thënë me cektësi, duke e ngatërruar një njohje me miqësinë e vërtetë. Kjo fjalë, sidomos në rrjetet sociale, është bërë një përdorim i zakonshëm. Bëhesh mik sa hap e mbyll sytë, miq të mirë në një ditë. Miq për kokë, pas një jave…

Në Facebook, aty ku kultivohet arti i komentit, i dedikimit me lulen më të bukur, miqësia, në të vërtetë, është një koncept kaq sipërfaqësor sa nuk përfshin as njohjen madje. Por miqësia është tjetër gjë. Komplet tjetër gjë. Është njohje, intimitet, lidhje e thellë. Dhe e gjitha kjo nuk ka lidhje fare me gjendjen në rrjetet sociale, me të gjitha ato “like” që shfaqen si shi meteoriti. Nuk ka të bëjë fare me kohën që kalon, me takimet e përditshme, me telefonatat e vazhdueshme.

Në fakt, sa herë, me kalimin e viteve, ndoshta pasi jeta ka ndarë rrugët e dy miqve, ata takohen pas shumë kohësh dhe duket sikur koha është fshirë? Të tillë forcë dhe lidhje ka një marrëdhënie shoqërore e ruajtur në kohë. Kjo është masa që tregon për një ndjenjë unike, e ndryshme edhe nga dashuria, por aspak më e vogël dhe apo më e fortë. Miqësia është një nga ndjenjat më të forta që lidh dy apo më shumë njerëz. Është motori i një marrëdhënieje të bazuar në reciprocitet, gatishmëri, ndarje, mbështetje, dashuri dhe besim. Për këtë arsye, miqësia është e ndryshme nga dashuria, por absolutisht e kundërta e njohjeve të rastësishme, që po karakterizojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet mes njerëzve.

Një nga shprehjet që e përshkruan më mirë këtë marrëdhënie, që përcakton konturet dhe që e shpreh më mirë kuptimin e miqësisë, është ajo e Albert Camus: “Mos ec pas meje, mund të mos të të udhëheq. Mos më ec përpara, mund të mos të të ndjek. Ec vetëm përkrah meje dhe ji miku im!”

Miqësia nuk do të thotë që të ndjekësh një person, siç mund të ndodhë në një marrëdhënie prindërore apo familjare. As të udhëheqësh dikë, por të ecësh krah për krah, së bashku. Mbështetja, ndarja, barazia karakterizojnë dhe i japin thelb kësaj ndjenje që, për këtë arsye arrin të ruajë pastërtinë e saj në kohë. Nuk ka xhelozi për të mposhtur, qëllime për të arritur, por vetëm kënaqësi dhe përkushtim për të qenë unik për dikë. Një mikeshë nuk ka frikë të thotë atë që mendon, duke e ditur se shpreh mendimin e saj jo për interes personal.

RonaTyra

Një mik është ai që ka forcën dhe qetësinë për të thënë gjëra jo edhe aq të rehatshme, duke e ditur se nuk nxjerr asnjë përfitim nga kjo sjellje. Një miqësi e vërtetë, e thellë, qëndron mbi atë që quhet një e mirë irracionale. Një ndjenjë që nuk ka ambicie apo objektiva, siç ndodh shpesh në një marrëdhënie dashurie. Për këtë arsye një miqësi qëndron e fortë dhe e pathyer, jo vetëm me kalimin e kohës dhe në distancë, por edhe kur përfshihet nga ‘stuhi’, të cilat mund ta fusin në vorbullën e tyre këtë marrëdhënie.

Dallimi, krahasuar me marrëdhëniet e tjera, është diçka që përcaktohet me vështirësi, një lidhje intime, e thellë, që lidh dhe bashkon, pavarësisht sukseseve apo dështimeve, lotëve apo buzëqeshjeve. Këto janë momente, në të cilat miqësia tregon karakterin e vërtetë, forcën e saj, aftësinë për të rezistuar dhe për të lënë shenjë në jetën e dy njerëzve. Kur miqësia është e vërtetë nuk ka sekrete dhe as nevojë për t’u shtirur. Një mikeshë nuk gjykon, nuk vihet në garë dhe mbi të gjitha nuk tradhton. Një mikeshë është gjithmonë aty, edhe pse kilometra larg, për të treguar se mund ta ndani jetën së bashku, pavarësisht kohës që keni pa u parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu