Pas miratimit të marrëveshjes sot mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare për reformën zgjedhore, Këshilli Politik do të mblidhet nesër. Ky fakt është bërë i ditur nga bashkëkryetari i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, i cili ka njoftuar kolegët përmes një emaili. Në këtë njoftim sqarohet se mbledhja e Këshillit do të nisë në orën 17:00.
Në këtë mbledhje, ku konfirmohet edhe pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama, do të informohen palët për marrëveshjen e arritur sot.
NJOFTIMI I GJIKNURIT
Të nderuar koleg,
Sikurse është bërë e ditur publikisht, më lejoni që të ju konfirmoj se Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar në mbledhjen e sotme (e martë 21 Korrik) projektligjin për amendime në Kodin Zgjedhor, sipas dokumentit të dakordësuar në tryezën e Këshillit Politik.
Gjithashtu, ju informoj se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka firmosur mbrëmjen e sotme një marrëveshje me përfaqësuesit e grupeve të opozitës parlamentare (Grupi Demokrat; Grupi Demokraci dhe Drejtësi; Grupi i Pavarur) ku dakordësohet mes palëve mbështetja për kalimin në seancën parlamentare të datës 23 Korrik të projektligjit për amendimet në Kodin Zgjedhor, dokument që mori sot mbështetjen nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Marrëveshja e cituar më sipër ndodhet bashkëlidhur në këtë e-mail për dijeninë tuaj.
Duke marrë në konsideratë faktin se tanimë është përcaktuar seanca për miratimin e amendimeve në Kodin Zgjedhor, ashtu sikurse ju keni patur kohën e mjaftueshme për të shqyrtuar propozimet e opozitës parlamentare të miratuara tashmë në Këshillin e Mandateve dhe Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore lidhur me ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për sanksionimin e listave të hapura;
propozoj mbledhjen e Këshillit Politik ditën e nesermë ora 17:00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve me rend ditë diskutimin mbi propozimet për ndryshime në Kushtetutë sa i takon sanksionimit të hapjes së listave. Nga ana e Partisë Socialiste, përveç meje, si përfaqësues në tryezë do të marrë pjesë edhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Në pritje të përgjigjes,
Damian Gjiknuri.