Këngëtarët Labinot Tahiri dhe Afrim Muçiqi, të cilët edhe organizuan protestë para disa dite ku kërkuan që qeveria ta shfuqizojë vendimin në mënyrë që të lejohet organizimi i dasmave, i gëzohen këtij vendimi të cilin sonte e mori qeveria.
Labinot Tahiri përmes një shkrimi në Facbook uroi dasmorët duke falënderuar zëvendëskryeministrin, Besnik Tahiri dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn.
Derisa homologu i tij dhe bashkëorganizuesi i protestës, Afrim Muçiqi, pas vendimit tha se shpreson të kalojë kjo pandemi dhe iu gëzua rikthimit të normalitetit.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendim edhe për çështjen e tubimeve në fushën e gastronomisë. Në këtë mbledhje u vendos që nga data 1 korrik të hapen restorantet për mbajtjen e dasmave, gjithherë në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri.
“Mund t’ua konfirmoj se nga data 1 korrik është marrë vendim të hapen të gjitha restorantet për organizimin e dasmave”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, tha se nesër do të fillojë hartimi i një udhëzuesi me rekomandime për masat që duhet të merren lidhur me këto organizime.
“Nga nesër, do të fillojmë me hartimin e një udhëzuesi që do të jetë publik për të gjithë. Ky udhëzues do të hartohet në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me rekomandime të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, tha Krasniqi.