Gruaja në kimono; historia e veshjes tradicionale aziatike që pushtoi pasarelat e modës!

0
Gjigandi

Një veshje misterioze, por edhe sensuale, e dashur nga aziatikët, por e adhuruar nga europianët, jo vetëm pë formën, por edhe teksturat e saj të mrekullueshme.

Edhe pse Japonia filloi të hapet shumë vonë ndaj modës perëndimore, vetëm në fund të shekullit të 19-të, ndikimi që ka pasur kultura e këtij vendi në historinë e stilit dhe industrisë së tekstilit, ka qenë i dukshëm gjithnjë e më shumë, duke u kthyer në ekzotik.

Por, veshja e cila e personifikon më shumë stilin mbetet kimonoja. Veshja tradicionale japoneze, e cila është kthyer prej disa dekadash në një busull orientimi për shumë stilistë, jo vetëm nga dizajni, por edhe nga forma, ngjyrat dhe tekstura e mrekullueshme aziatike. Në Japoni kimonoja është fustani ‘par excellence’, por jo vetëm. Është një gjuhë jo-verbale e artit të pastër të joshjes dhe kjo nuk lidhet aspak me geishat, as me vallet dhe muzikën, as me teknikat joshëse të servirjes së çajit apo sensualitetin e tyre.

Kimono

Bukuria e kimonosë qëndron në misterin që fshihet në hirin e lëvizjeve pas mëndafshit. Kjo është edhe arsyeja pse kjo veshje simbolizon mbi gjithçka shpirtin e gruas aziatike. Sepse asgjë nuk është e rastësishme tek kimonoja, ngjyrat, gjatësia e mëngëve, tekstura dhe modelet, pasi tek secila ka një simbolikë unike, që identifikojnë statusin e gruas që e mban. Përshkrimi i parë i detajuar i fustanit kimono të veshur nga populli japonez daton në shekullin e 3-të. Sipas një libri llogarie, ku bëhej inventari i veshjeve, thuhej se burrat mbanin një veshje e cila quhej kanfui, një lloj fustani i mbështjellë rreth trupit deri mbi supe, ndërsa për gratë kishin veshjen kantoi, një fustan deri tek koka, por pa mëngë. Kantoi ishte prototipi i kimonosë, e cila evoluoi gradualisht, duke u kthyer nga pa mëngë në me mëngë shumë të shkurtra, e më pas tejet të gjata duke mbuluar majat e gishtave.

RonaTyra

Kimono nuk ishte një veshje e zakontë për çdo grua, ajo përdorej vetëm në ceremoniale të caktuara dhe i takonte shtresës së fisnikërisë. Me ardhjen në pushtet të Samurai, ata preferuan më shumë komoditetin mbi hijeshinë e kimonosë, e cila shpesh ishte e ngarkuar, e lodhshme dhe me një peshë të konsiderueshme për trupat elegantë të femrave aziatike. Sepse kimonoja fsheh një sekret të madh. Nëse në dukje mund të duket një veshje kaq magjepsëse, ajo nuk është aspak e tillë nëse e shihni të paveshur. Copa që përben veshjen e kimonosë është e ndarë në tetë pjesë, prej të cilave dy janë mëngët, dy janë pjesa e përparme, dy ajo e pasme, si dhe rripat prej mëndafshi, ku njëra shtrëngon belin dhe tjetra qafën dhe gjoksin.

Evolucioni

Por dizajni dhe modeli themelor i kimonosë moderne që shohim sot, ka kaluar një sërë periudhash, të cilat e kanë transformuar atë, pikë së pari nga zhvillimet japoneze, e më pas nga ndikimet jashtë botës aziatike, aq sa shpesh është marrë si referencë, edhe pse fillimisht si diçka ekzotike, qysh nga stilistët më të hershëm. Por deri në vitin 1688 kimonoja nuk ishte dhe aq e shquar, por pas kësaj periudhe, kur u bë më popullore futja e Yuzen, ngjyra bazike e kësaj veshje, e cila gërshetohet me motive lulesh, kryesisht ato të qershisë japoneze, e kthyen atë në një objekt të dashur për çdo grua.

Kjo bëri që gratë të kishin kimono për çdo rast, jo vetëm për festa apo ceremoni. Tekstura ndryshoi, duke ofruar kryesisht motive nga jeta apo historia, të qëndisura ose tekstile, të gjitha të frymëzuara nga kultura aziatike. Ashtu si në Perëndim, edhe gratë në Japoni filluan të krijonin lloje të ndryshme kimonosh të përshtatshme për raste, vende dhe momente të ndryshme të jetës, edhe pse shumë prej tyre, ishin të ndara sipas kategorive shoqërore.

Kështu, modeli furisode ishte një kimono vetëm për vajzat e reja dhe të pamartuara, një veshje formale për të rinjtë, madje më e dekoruar dhe me ngjyra sesa ato për moshat e tjera. Ndërsa Tomesode ishte një kimono e cila vishej nga gratë e martuara, kishte  ngjyra të forta, por me më pak dekorime. Kimonoja homongi vishej në ceremoni zyrtare dhe festa, ku spikat dizajni i gjoksit, supeve, mëngëve dhe pantallonat e gjera.

Por më të famshme ishin kimonotë e geishave, të cilat ndryshe nga një kimono e rregullt, ato ekspozonin enkas qafën, e cila në kulturën japoneze konsiderohet pjesa më sensuale e një gruaje, po aq sa gjoksi për burrat perëndimorë. Një kimono geishe është më e thjeshtë, më e lehtë dhe ka mëngë të shkurtra.

Në periudhën Meiji, industria japoneze e tekstilit bëri hapin e parë drejt modernizimit të kimonosë, duke sugjeruar ngjyra të jashtëzakonshme. Kjo i lejoi tregtarët e kimonosë dhe mëndafshit të prodhonin shumë dhe me kosto më të ulët, çka favorizoi imagjinatën për motivet e teksturës dhe ngjyrave, të cilat ishin në kontrast të thellë me kimononë e së kaluarës. Gjithashtu në motivet e tyre u shfaqën veprat e arteve pamore. Pas Luftës së Dytë Botërore, kimonoja edhe pse ‘u konkurrua’ nga veshje perëndimore, ajo nuk u zhduk. Në vitet 1950 kimonoja arriti të stilizohej gjithnjë e më shumë, të merrej si pikë referimi edhe nga stilistë, e sidomos në vitet 1970 falë ndikimit të kulturës pop.

Edhe në pasarela

Perëndimi, e sidomos Europa e stilit të rafinuar dhe elegant nuk është ndalur duke u frymëzuar pareshtur edhe nga veshja tradicionale japoneze dhe stili i saj unik. Nuancat e para të modeleve të kimonosë, por edhe tekstura e tyre, filloi të shfaqet në fillim të viteve ’50, ku stilistët iu referuarn fillimisht teksturës, duke sugjeruar fustane me motive të frymëzuara nga qershia e famshme japoneze. Në mesin e viteve ’50, dy dizajnerët japonezë Yohji Yamamoto dhe Kenzo tronditën botën e modës me kimononë, duke i dhënë asaj një tjetër dimension, e kthyen në simbol të eleancës dhe sensualitetit.

Në fund të viteve ’80 dhe fillim të atyre ’90, Rei Kaëakubo, themelues dhe dizajner i shtëpisë së modës japoneze Comme des Garçons, një nga emrat më të rëndësishëm të modës sot, shpërtheu me linjat asimetrike të veshjeve duke ju referuar modelit klasik të kimonosë, mbi të cilën dizenjoi veshje për femra dhe meshkuj. Gjithashtu veshja e famshme “ërap”, e hapur në pjesën ballore me një rrip elegant mëndafshi rreth belit, e krijuar nga Diane Von Fustenberg, padyshim që është e frymëzuar nga veshja aziatike. Revolucioni me kimononë u arrit vetëm pas viteve 1990 nga disa shtëpi të njohura të modës si: Giorgio Armani, Marni, Alexander McQueen, Gucci, Prada, Proenza Schouler apo Zuhair Murad. Ata e kthyen në trend dhe motiv kimononë, e cila u shfaq edhe sivjet në propozimet e stilistëve për sezonin Vjeshtë/Dimër 2018 dhe Pranverë/Verë 2018.

Image

Kimono

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu