Mjeku ekspert i epidemiologjisë, Arban Domi flet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi ecurinë e koronavirusit të ri, Covid-19. Ai thotë se infektimi në masë që po ndodh tek moshat e reja është një e mirë që i ndodh njerëzimit pasi ndihmon në krijimin e imunitetit.
Në intervistë me Ora News, Dr.Domi shpjegoi edhe të keqen e këtij infektimi në masë që po ndodh tek të rinjtë: “Infektimi në masë i të rinjve do të ndihmojë në krijimin e imunitetit në masë në shoqëri. E vetmja gjë që duhet të kenë kujdes të rinjtë është kur ata jetojnë me familjen ose me gjyshërit. Shumica e të rinjve e kalojnë duke mos pasur simptoma, por duhet pasur kujdes për të tjerët.”
Domi thotë se nuk është e rëndësishme sa janë të infektuarit në numër, por sa prej tyre përfundojnë në regjim spitalor.
Kurse për pyetjen që po mundon shumë njerëz se çfarë do të ndodhë në dimër, Domi thotë se pas disa muajsh virusi do të jetë shumë më pak agresiv dhe se një pjesë e mirë e popullatës do të jetë imunizuar.
“Në fund të vjeshtës dhe dimrit do të kemi koronën aktuale dhe gripin. Kjo do të vështirësojë ndarjen e simptomave. Ky mendoj se është problemi kryesor. Qarkullimi i virusit në vjeshtë dhe në dimër, mendoj se do të ketë më shumë të infektuar dhe do të rritet imuniteti. Besoj se në këtë periudhë virusi nuk do të jetë kaq shumë agresiv, pasi faza e parë është agresive, por kur ka siguruar terrenin e jetesës, atij nuk i intereson të vrasë organizmin, sepse me vdekjen e organizmit zhduket edhe virusi.”
Dr.Domi nuk pret që një vaksinë anti-Covid të jetë gati në fund të këtij viti. Sipas tij, shumica e vaksinave janë konceptuar për prodhim anti-trupash, por personat e infektuar prodhojnë qeliza T dhe jo anti-trupa tashmë.
“Nuk mendoj se deri në fund të vitit vaksina do të jetë gati. Janë dy, arsyet për një gjë të tillë, e para siguria e vaksinës. Është shumë herët për të dhënë siguri për vaksinën. Dhe elementi i dytë është që sistemi imunitar vepron në një mënyrë që nuk është konceptuar 100% për vaksinën. Sistemi imunitar vepron me anti-trupa duke e sulmuar virusin për ta penguar për tu futur në qelizë. Mënyra e dytë me të cilën sulmon është përmes qelizave T. Këto e sulmojnë virusin pasi është futur në qelizë.
Shumica e vaksinave, janë konceptuar kryesisht për prodhim anti-trupash neutralizues. Të dhënat e fundit tregojnë se personat e infektuar nuk prodhojnë shumë anti-trupa neutralizues, por prodhojnë qeliza T që e vrasin virusin. Prandaj kam një farë rezerve, por jam optimist, se këto vaksina mund të jenë efikase”, thotë mjeku Arban Domi.