Banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët kanë qenë të detyruar ta lënë shtëpinë e tyre për shkak se u vlerësua si e pabanueshme, do të marrin një shtëpi të re, që do të vlejë më shumë në treg sesa ajo që la pas. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj siguroi familjet e dëmtuara se banesat e reja do të jenë në përputhje me të gjitha standardet.
Nga dëgjesa e tretë publike me inxhinierë dhe ekspertë, të cilët kanë kryer vlerësimet përkatëse për pallatet e dëmtuara nga tërmeti në Kombinat, e në bazë të përfundimit të raportit të tyre do të merret vendimi për prishjen ose jo të tyre, kryebashkiaku theksoi se ky është një proces ringritje për shoqërinë tonë.
“Pyetja nuk është sa biem dhe si biem sepse tërmetin dhe pandeminë nuk i kemi në dorë. Pyetja është: sa shpejt ngrihemi. Ky është një proces ringritjeje, që filloi në orën 03:54 të mëngjesit të 26 nëntorit, kur kryeministri ishte i pari që mobilizoi të gjithë të tjerët, si pjesën e kërkim-shpëtimit, ashtu edhe sistemimin e të gjithë atyre që humbën familjarët, e tani po menaxhon procesin e rindërtimit”, tha Veliaj. Ai siguroi qytetarët se derisa të futen në banesat e tyre të reja, do të marrin pagesat për bonusin e qirasë.
“Është hera e tretë që marrim vendime të tilla, aspak të lehta, por janë vendime të drejta. Secila familje që trajtohet me bonus qeraje, do të vazhdojë ta marrë atë, derisa të ketë në dorë çelësin e një shtëpie të re që do të vlejë më shumë në treg sesa shtëpia që la”, sqaroi Veliaj.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka filluar me ndërtimet në zonat rurale. “Kemi filluar me ndërtimin e shtëpive të reja në Farkë, pasi mbaruam rindërtimin e të gjitha banesave që u prishën nga tërmeti i shtatorit. Puna ka nisur për 53 shtëpitë e para dhe deri në fund të verës, një pjesë e familjeve do të kthehen në banesat individuale të rindërtuara”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë theksoi se për të gjitha banesat që do rindërtohen në lagjet e reja janë vendosur kritere të forta dhe që do të kenë edhe eficencë të lartë energjetike. “Një pjesë e madhe e vendimmarrjes sot për prishje është formalitet, pasi kemi formalizuar lagjet e reja në Kombinat dhe te Bregu i Lumit, zona e “5 Majit”. Për shtëpitë e reja kemi vendosur kriteret më të fundit të eficiencës energjike, për t’u siguruar që jo vetëm marrim një shtëpi që në vlerë tregu është më e mirë, por marrim një shtëpi që në vlerë mirëmbajtjeje është më e lirë”, deklaroi Veliaj.
Burimi: top-channel.tv