Ish-kampioni i UFC, Andrei Arlovski, është luftëtari i fundit që e ka sfiduar Mike Tysonin për kthimin e tij në ring. Megjithatë, sfida e Arlovski dallon paksa nga të tjerat – ai ka kërkuar që meçi të përbëhet nga një rund boksi dhe një rund arte të përziera marciale (MMA).
Mike Tyson ka qenë duke u stërvitur në mënyrë intensive për ta realizuar dëshirën e kthimit në ring për një meç bamirës..
Prej kur e ka zbuluar këtë synim të tijin, Tyson është sfiduar nga Shannon Briggs, rivali i vjetër Evander Holyfield dhe shumë boksierë të tjerë – mirëpo bjellorusi Arlovski dëshiron të jetë ai që e teston veten kundër heroit të tij të fëmijërisë.
“Tyson është një legjendë. Unë e kisha një pankartë të tij të varur në dhomën time të gjumit”, ka zbuluar Arlovski për sports.ru.
“Unë nuk jam i gatshëm ta zhvillojë një meç të plotë boksi kundër tij. Nëse një rund është boks e tjetri është me artë të përziera marciale, atëherë meçi mes nesh është i mundur”.
Mike Tyson ka zbuluar disa herë se ai është tifoz i madh i UFC-së, mirëpo asnjëherë nuk ka luftuar në arte të përziera marciale, përderisa bjellorusi Arlovski ka boksuar edhe më parë gjatë karrierës së tij.