Zv/kryeministri: “Kazinotë vetëm në hotelet me 5 yje dhe resorte, nuk hapen lojërat e fatit”

0
5
Gjigandi

Zv.kryeministri Erion Braçe u shpreh sot në lidhje me vendimin e fundit të qeverisë, për ligjin për lojërat e fatit, se “lojërat e fatit nuk do të rihapen, pasi ligji nuk ka ndryshuar”.

Në një intervistë televizive Braçe theksoi se, “ligji që ka miratuar Kuvendi në vitin 2018 përmes të cilit qeveria vendos mbylljen e lojërave elektronike të lojërave të fatit, bastet sportive dhe bingot, është ligj dhe ndryshohet vetëm me ligj. Në rastin konkret nuk ka asnjë ligj, por një vendim të Këshillit të Ministrave që nuk do të hapë as lojërat e fatit, ato që keni parë buzë rrugëve apo në bodrume, por përcakton zonën ku do të lejohen kazinotë dhe procedurat e licencimit për kazinotë”.

“Mbetet në fuqi ndalimi ose ligji që i konsideron të paligjshme lojërat elektronike të fatit, bastet, bingot dhe çdo gjë tjetër. Ligji i 2018 lë në fuqi kazinot në hotele me 5 yje dhe resort, të certifikuara ndërkombëtarisht dhe nën një emër brandi. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka zbatuar nenin e ligjit ekzistues, që detyron Këshillin e Ministrave të nxjerrë vendim për përcaktimin e zonës, ku do të lejohen kazinot dhe procedurat”, – deklaroi Braçe.

Lidhur me përcaktimin e zonës ku do lejohen kazinotë, Braçe shpjegoi se, “nuk bëhet fjalë për qendrën e Tiranës. Këtu nuk mban më për të ndërtuar asnjë godinë tjetër, ka kufizim në këtë ligj. Nuk lejohet në 100 metra në vijë ajrore nga Katedralja apo Teqeja. Kemi miratuar VKM që e kërkon ligji dhe e kemi zbatuar pikë për pikë këtë ligji. S’ka se si ndërtohen”. ATA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu