Me përfundimin e garës për zgjedhjen e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit (të hënën zgjidhet drejtuesi), ka reaguar ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim, e cila ka folur për ata që nuk e duan reformën në drejtësi.
Përmes një mesazhi në rrjetin social, Kim shkruan se ka ‘disa që po ëndërrojnë sikur BKH nuk do të ngrihet kurrë’, por reforma në drejtësi do të ecë përpara.
“Duket sikur disa po ëndërrojnë që BKH kurrë nuk do të vendoset, ata shpresojnë se drejtësia nuk do të vijë kurrë. Na vjen keq që ju zgjoi nga dremitja juaj, por ëndrra juaj nuk do të bëhet e vërtetë. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara.”-shkruan Kim.
Kujtojmë se Partia Demokratike denoncoi Aida Hajnën, njërën prej kandidatëve për drejtimin e BKH-së, e cila sipas tyre është nën hetim penal për korrupsion.
“Byroja Kombëtare e Hetimit, që pretendohet se do të hetojë krimin e organizuar dhe njerëzit e pushtetit, është institucioni i fundit që po merret nën kontroll nga qeveria. Ajo ka diktuar skualifikimin e të gjithë kandidatëve, duke lënë si emër të vetëm në listë zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajna. Në lidhje me këtë subjekt, nga ana e SHÇBA, në vitin 2018 janë marrë informacione të besueshme dhe konkrete, ku kjo shtetase implikohet në marrjen e shumave nga 10 mijë Euro për dhënien e gradave policore në mënyrë arbitrare dhe preferenciale. Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.9668, viti 2018, për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ku Aida Hajnaj dhe disa oficerë të Drejtorisë Përgjithshme dhe Akademisë së Policisë janë nën hetim”.-tha Paloka në emër të PD-së.