Në një intervistë për Ora News, bashkëkryetari i Partisë Socialiste për reformën zgjedhore Damian Gjiknuri tha janë ndërtuar softet dhe është bërë infrastruktura për të mundësuar votën e emigrantëve.
Sipas Gjiknurit, problemi është fakti që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk kanë treguar interes për të votuar.
Ai tha gjithashtu se mund të ketë një sensibilizim më të mirë nga ana e autoriteteve shqiptare.
Damian Gjiknuri: ”Ligji në fuqi sot është një ligj që parashikon regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Janë ndërtuar softet, është bërë infrastruktura e plotë, janë bërë dhe trajnimet e nevojshme. Problemi është që vetë shtetasit shqiptarë nuk kanë treguar interes. Mbase mund të duhet një sensibilizim më i mirë nga ana e autoriteteve. Të injkurajojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi, Itali, kudo që janë, të shkojnë të bëjnë aplikimin online sepse janë disa procedura. Duhet regjistruar adresa në fillim, sepse pasi regjistron adresën ti hiqesh nga lista e zgjedhësve, nuk del më në listën e zgjedhësve në Shqipëri. Kjo krijon një listë paralele, e cila është brenda regjistrit, pra brenda një baze të dhënash, gjeneron nga regjistri dhe mbasi ke bërë regjistrimin shpreh kërkesën për të marrë pjesë si votues.”
”E para ka të bëjë me Ministrinë e Brendshme dhe të Jashtme nuk ka lidhje me KQZ-në. Kjo është e drejta për tu regjistruar në sistemin e gjendjes civile si rezident në një shtet të huaj. E dyta është vullneti yt për të marrë pjesë në votime. Pasi shpreh vullnetin tënd, KQZ-ja do përcaktojë procedurat, si administrohet kjo e dhënë, si şohet zarfi, ku futet vota, cilat janë elementet e sigurisë, si shpërndahet, grumbullohet, si numërohet. Të gjitha këto elementë do të përcaktohen me një akt normativ të KQZ-së, i cili kërkon një konsensus nga anëtarët e rregullatorit.”