Armiku i padukshëm Covid 19 po shkakton gjithnjë e më shumë telashe të mëdha për secilën disiplinë sportive. Edhe Federata e Boksit të Kosovës po përballet me këtë fenomen! Kryetari i këtij institucioni, Sylejman Voca, tha se jo vetëm boksi por edhe sportet tjera i ka detyruar që ta ndryshojnë qasjen e organizimit të garave!
“Bota sot”: Si çdo shtet në botë edhe Kosova po ballafaqohet me pandeminë Covid 19, a po ka vështirësi Federata e Boksit të Kosovës në organizimin e garave?
Sylejman Voca: Si të gjitha sportet në vendin tonë e jo vetëm edhe boksi pandemia Covid-19 e detyroi të ndryshoi qasjen si për organizim të garave po ashtu edhe të stërvitjeve si dhe mbarëvajtjen në përgjithësi të boksit. Ne si federatë i kemi marrë të gjitha masat që sa do ku do të mundohemi ta mbajmë formën së paku të boksierëve që janë kandidat potencial për gara ndërkombëtare.
Duke organizuar përgatitjet bazike si për djem po ashtu edhe për vajza në lartësi mbi detare (në bjeshkë) me te vetmin qëllim që garuesit ta ruajnë formën gjithmonë duke ju përmbajt rekomandimeve të Ikshpk.
Nuk është aspak e lehtë të përballohet kjo gjendje e pazakontë por falë angazhimit të të gjithëve ja kemi dalë deri diku.
Ishte e vështirë se ne veç ishim përgatit për turneun ‘Lah Nimani’ ku duhej të mbahej me 18 të këtij muaj, por përkeqësimi i gjendjes pandemike na detyroi ta shtyjmë për kohë të pacaktuar, kjo krijoi pakënaqësi edhe te garuesit kur dihet se sa ju kanë përkushtu këtij turneu.
Tani jemi në përpilim të një programi që edhe boksierët 17-18 vjeçarë t’i dërgojmë në përgatitje e kështu t’i mbajmë sa më shumë në formë të gjitha grupmoshat e sidomos ata që presim të na përfaqësojnë në garat ndërkombëtare.
“Bota sot”: Çfarë i duhet boksit në këtë kohë?
Sylejman Voca: Si të gjitha sportet edhe boksit në këto momente i duhet tejkalimi i kësaj pandemie dhe klubet ta gjejnë mënyrën dhe formën për ti mbajtur garuesit në formē, sepse federata edhe pse është në pritje të TM2 , ne veç e kemi plan-programin për momentin që krijohen rrethanat, normalisht duke pritur edhe EUBC dhe AIBA për rekomandime apo edhe plotësim ndryshimin e kalendarit të garave.