Skuadra e Valencias ka lëshuar një komunikatë kundër trajnerit të Atalantas, Gian Piero Gasperinit.
Ky i fundit në një intervistë për të përditshmen italiane ‘Gazzeta dello Sport’ ka treguar se ishte i infektuar me koronavirus para ndeshjes me Valencian në Ligën e Kampionëve.
Kjo nuk i ka pëlqyer aspak skuadrës spanjolle që ka reaguar duke thënë se ai ka rrezikuar shumë persona gjatë udhëtimit në Valencia.
‘Pas deklaratave të trajnerit të Atalantas, Gian Piero Gasperini, Valencia shprehet publikisht e befasuar për faktin se trajneri i skuadrës rivale në fazën e 1/8-ve të Champions League pranon se përpara ndeshjes së datës 10 mars në “Mestalla” ishte i vetëdijshëm se simptomat që kishte shfaqur mund të kishin lidhje me koronavirusin, duke mos marrë masa parandaluese dhe duke rrezikuar shumë persona gjatë udhëtimit në Valencia’, ka shkruar ekipi spanjoll në komunikatë.
Gasperini kishte shtrënguar duart me trajnerin e Valencias, Celades në dy ndeshjet. Po ashtu ka pasur kontakt me futbollistët e tij.