Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, citohet të ketë thënë se forcat kurde ende nuk janë tërhequr plotësisht nga brezi kufitar mes Turqisë dhe Sirisë, ndonëse për një gjë të tillë kanë afat vetëm deri në orën 18 të së martës.
Sipas një marrëveshjeje të arritur javën e kaluar mes presidentit turk, Rexhep Erdogan, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, rojet kufitare siriane dhe policia ushtarake ruse e kanë për detyrë që t’i largojnë të gjitha forcat kurde dhe armatimin e tyre në një brez të gjerë prej 30 kilometrash përgjatë kufirit deri në orën 18.
Pas përfundimit të këtij afati, forcat turke dhe ruse do ta nisin patrullimin e përbashkët në një brez prej 10 kilometrash përgjatë kufirit.
“Duket se forcat kurde ende janë në zonën e operacionit Pranvera e Paqes. Kjo luftë nuk ka përfunduar. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk do të përfundojë”, ka thënë ministri turk në një intervistë për gazetën vendore, “Sabah”.
Ndërkohë një delegacion rus ndodhet në Turqi për bisedime rreth patrullave të përbashkëta kufitare në territorin sirian dhe gjendjen e përgjithshme të sigurisë në pjesën veriore të Sirisë.
Sipas ministrit turk, rreth një mijë luftëtarë kurdë ndodhen në qytetin kufitar sirian, Manbij, dhe një mijë të tjerë afër qytetit Tel Rifat, shkruan “Reuters”.